Volejboll Meshkuj-Erzeni fiton me përmbysje në Shkodër 2-3. Kuqeblutë, në vend të pestë, jashtë zonës së Play-Off

Vllaznia-Erzeni  2-3(25-19, 25-21, 16-25, 19-25, 9-15)

Jo pak herë është thënë, por edhe është vertetuar se sporti i volejbollit është një sport i surprizave, apo i “pa besë” siç quhet rëndom në gjuhën sportive. Një gjë e tillë është reflektuar edhe në përballjen mes Vllaznisë dhe Erzenit në volejboll për meshkuj, takim ky i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës nën gjykimikn e dyshes Ardit Nurja dhe Endri Zguri.

Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, bëjnë gjithçka mirë duke dominuar me lojë dhe rezultat në dy setet e parë. Nën dirigjimin e kapitenit të skuadrës, Nikolin Qafarena, duke pasur në fushë edhe kolegët e tjerë, Jukni, Çekini, Rrashketa, Taflaj, Lleshi, Jula, Talani, Pepaj, Curraj, Lugaj, Doniku, Vllaznia e fiton me meritë setin e parë 25-19.

Me të njëjtët parametra, vijon edhe seti i dytë, ku avantazhi mbahet në fuqi deri në shënimin e pikës së 25-të ndaj 21 të Erzenit. Vllaznia në avantazh 2 me 0 me sete, rezultat optimal për ta mbyllur të gjithë ndeshjen me fitore 3-0.

Por, siç thamë edhe më sipër, të papriturat e volejbollit, bëjnë që miqtë nga Shijaku të drejtuar nga trajneri Parit Uruçi shfaqen tejet të mobilizuar në setin e tretë, të cilin e fitojnë me lehtësi me shifrat 16-25.

Pritet një kthesë e Vllaznisë në setin e katërt për të mos lënë t’i ikë nga duart fitorja, por Erzeni nuk fal edhe në setin e dytë duke e fituar atë me shifrat, 19-25.

Barazim 2 me 2 me sete, duke e çuar ndeshjen me set final. Set, i cili flet përsëri në favor të miqve nga Shijaku, të cilët duke fituar atë 9 me 15, bëjnë përmbsyjen e madhe duke e fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin 2 me 3.

Një fitore kjo  rëndësishme për Erzenin duke e mbajtur në pozitat e skuadrave të kreut që synojnë titullin kampion, ndërkohë që për Vllazninë, humbja në fjalë është fatale, pasi zbeh në një farë mënyre mundësinë e përfshirjes në katër më të mirët e kampionatit. Aktualisht, kuqeblutë, renditen në vendin e pestë me 17 pikë, duke qënë tre pikë larg Skënderbeut të vendit të katërt, skuadrës ku luajnë tre shkodranët, Dibra, Drinazi dhe Preka.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu