Volejbolli shqiptar është në zi! Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare, një nga figurat më të spikatura në sportit të volejbollit, ish volejbollisti dhe ish trajneri i famshëm Kreshnik Tartari, i cili spikati edhe si drejtuesi i sportit shqiptar
Në karrtieren e gjatë sportive të Kreshnik Tartarit, numërohen një sërë suksesesh, qoftë si volejbollit dhe sidomos si trajner, i cili konsiderohet një nga më të spikaturit në historinë e volejbollit shqiptar te femrave, duke ndërtuar dhe drejtuar breza të tërë sportistesh që dominuan sportin në vend dhe u bënë të njohura edhe në arenën ndërkombëtare duke e renditur Dinamon dy here mes 4 me te mirave te kontinentit.
Nën drejtimin e ketij ish volejbollisti ekipi i femrave të Dinamos u shndërrua në një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e sportit shqiptar.
Gjithçka nisi në vitin 1974, kur formacioni i drejtuar prej tij nisi një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 në total.
I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, Tartari ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta.
Si volejbollist, ai shkëlqeu me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj të shumtë kampionë dhe kupa gjatë viteve të arta të këtij sporti.
Për kontributin e tij të shquar në sport, ai u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, mes të cilave edhe titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh”.

Një nga miqtë e tij të afërt, Gjergj Ruli, ish kampion si atlet dhe trajner, dhe më pas drejtues i suksesshëm i FSHA, shkruan:
“Sot zemra ime është plot trishtim për ndarjen nga jeta të Kreshnik Tartarit.
Ikja e tij lë një boshllëk të vështirë për t’u plotësuar. Megjithatë, mbeten kujtimet, fjalët e ndara bashkë, momentet e jetuara pranë dhe shembulli i një jete të kaluar me dinjitet dhe pasion.
Sot qaj një mik që e kam dashur me gjithë zemër. Do ta kujtoj gjithmonë me mall, mirënjohje dhe respekt të thellë. Emri dhe kujtimi i tij do të vazhdojnë të jetojnë në mendimet dhe në zemrat tona.
Familjes së tij, të afërmve dhe të gjithë atyre që e deshën, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Lamtumirë Kreshnik. Udhëtimi yt tokësor përfundoi, por kujtimi yt do të mbetet i gjallë përgjithmonë. U preftë në paqe dhe i qoftë i lehtë dheu.”
Gaspër MARKU


