Zërat për largimin nga Kukësi të trajnerit Hallaçi, klubi e mohon zyrtarisht

Rezultatet jo të mira që po regjistron skuadra e Kukësi, ku më e fundit ishte humbja e së premtes në “Elbasan Arena” me Vllazninë kanë shtuar zërat gjatë 24 orëve të fundit për një largim të mundshëm të trajnerit Rrahman Hallaçi nga drejtimi i skuadrës.

Por, nga ana tjetër, burime zyrtare nga FK Kukësi mendojnë ndryshe. Dhe, këtë e kanë bërë përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë pak minuta më parë në faqen zyrtare të klubit të tyre.

Njoftim i klubit

Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin publik se lajmet e orëve të fundit në media, për shkarkimin e trajnerit Rraman Hallaçi janë të pavërteta. Hallaçi do të vazhdojë të jetë trajner i skuadrës dhe stafi teknik po punon për të përforcuar skuadrën në merkaton e janarit duke siguruar të gjithë se ekipi do të kthehet te rezultatet pozitivë shumë shpejt.

Trajneri Hallaçi ka besimin e klubit dhe mbështetjen e të gjithë futbollistëve në këtë moment të vështirë për skuadrën. Skuadra zhvillon sot stërvitjen e radhës për ndeshjen ndaj Apolonisë nën urdhërat e trajnerit Hallaçi.

Klubi e kupton se emri i Kukësit shton klikimet dhe rrit shitjet e gazetave por njëkohësisht kërkon nga mediat që të tregohen profesioniste dhe të mos publikojnë lajme të rreme. Klubi ka zyrën e shtypit ku mund të merret çdo informacion që keni nevojë. Para se të publikoni një lajm, jeni të lutur të siguroheni.

Zyra për shtyp
FK Kukësi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu