Thursday, April 25, 2024

Absurditeti Dunga, mungon ndaj Partizanit për arsye dokumentacioni !?!

Lexo

Paraqitjet super pozitive të Vllaznisë në këtë fillim kampionati duke qënë kryesuese e vetme e Superiores me 16 pikë kanë krijuar si asnjëherë tjetër gjatë dhjetë viteve të fundit një atmosferë tejet entuziaste në qytetin verior. Është kjo arsyeja që me të drejtë, të gjithë shkodranët dhe jo vetem, brenda dhe jashtë vendit, kanë kthyer sy dhe veshë tek skuadra e zemrës, prej së cilës këtë sezon presin ti gëzojë me titullin kampion, që sipas radhës është i dhjeti në historinë e klubit kuqeblu. Duke qëndruar pranë kësaj atmosfere, natyrshëm që pas fitores spektakolare të mesjavës ndaj Kastriotit në transfertë, sfida e së dieles në “Loro Boriçi” përballë rivales së hershme Partizani, përbën padyshim një tjetër kulminacion emocionesh, pasi në rast fitoreje tre pikëshe, kuqeblutë marrin “arratinë” për të marshuar plot besim drejt objektivit të titullit.

Por, pikërisht në këtë kulminacion suksesi dhe emocionesh kuqeblu, vjen një goditje e rëndë në formë autogoli të Vllaznisë me rastin Dunga.  Sulmuesi shtatlartë, i cili nga ndeshja në ndeshje e rriti së tepërmi formën e tij sportive duke u shndërruar në një goleador kryesor për kuqeblutë, ndër të cilët spikasin ai i fiores ndaj Tiranës në të 97-tën minutë si dhe i pari këtë mesjavë ndaj Kastriotit në sekondat e paara të takimit, nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Brdariç, pasi dy ditë përpara sfidës shumë të rëndësishme, Vllaznia-Partizani është larguar nga Shkodra.

Nga sa thuhet, mungesa e sulmuesit kuqeblu vjen për një arsye paksa të çuditshme, kur njoftimet zyrtare të klubit të futbollit Vllaznia bëjnë të ditur se shkaku ka të bëjë me dokumentacionin personal të futbollistit. Konkretisht, bëhet fjalë për skadimin e afatit të leje qëndrimit në Shqipëri të Dungës, gjë që sipas ligjit, autoritetet shqiptare nuk mund t’ia rinovojnë pasi edhe afati i pasaportës së tij është në ditët e fundit të skadencës.

Në të tilla kushte, për futbollistin kuqeblu, nuk ka pasur ansjë alternativë tjetër përveçse të udhëtojë urgjentisht drejt shtetit të tij në Kenia, atje ku do t’i duhet t’i nënshtrohet menjëherë proçedurave përkatëse për pajisjen me pasaportën e re. Proçedurë, e cila nuk dihet saktësisht se sa mund të zgjasë, por që për drejtuesit kuqeblu shpresohet të jetë sa më e shpejtë në mënyrë që Dunga të rikthehet përsëri në Shqipëri për t’iu ribashkuar Vllaznisë në ndeshjet e tjera në vazhdimësi të kampionatit. Nga e gjitha kjo situatë, ajo që pritet ta vuajë më shumë është skuadra kuqeblu, e cila nuk do të ketë shërbimin e sulmuesit potent Dunga, jo vetem për ndeshjen e fundjavës me Partizanin, por mund të rrezikojë edhe ndonjë tjetër në vazhdim në varësi të rikthimit të tij në Shqipëri me dokumentacionin e rregullt përkatës.

Parë në tërësi zhvillimin e ngjarjeve rreth pistës Dunga, me të drejtë opinioni sportiv shkodran, shprehë shqetësimin rreth këtij absurditeti, se si mund të ndodhë një gjë e tillë në një klub të mirëorganizuar në strukturë si Vllaznia, i cili nuk ka arritur ta menaxhojë si duhet rastin në fjalë. Me shpresën se mungesa e Dungës nuk do të arrijë të ndikojë negativisht në përformancën e kuqebluve në sfiden me Partizanin, strukturave përkatëse drejtuese në Klubin e Futbollit Vllaznia, u del për detyrë të jenë më vigjilentë në verifikimin e dokumentacionit të futbollistëve, jo vetëm të huaj, por edhe atyre shqiptarë që janë pjesë e kuqebluve, në mënyrë që raste të tilla si ai i Dungës, të mos përsëriten më në të ardhmen.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img