Monday, May 13, 2024

7 vite pa gazetarin dhe kometatorin e njohur sportiv, Mejdan Zhivani!

Lexo

Vitet kalojnë njëri pas tjetrit. Ky dhjetor i 2021-shit është i shtati pa kolegun, mikun, shokun, bashkëpunëtorin, Mejdan Zhivani që një sëmundje e rëndë ia preu jetën në moshën më të bukur, 38 vjeçare.

Më mungon mua personalisht, i mungon edhe kolegëve të mi, Adit, Gjergjit, Drilonës, Senadit, Antonit, Gjonit, Apollonit, Edmondit , Taulantit, Ferdinandit, Agronit, e shumë të tjerëve kolegë mediatik të qytetit të Shkodrës ku Mejdani ushtroi vitet më të shumta të karrierës së gazetarit dhe komentatorit sportiv.

I mungon padyshim kolegëve dhe miqve të tjerë të shumtë  të kryeqytetit ku vazhdoi karrierën mediatike sportive, mes të cilëve Dëfrim Methasani, padyshim më i afërti nga të gjithë në shoqërinë me Mejdanin.

Miqtë, shokët dhe kolegët e Mejdan Zhivanit, ishin kudo në të gjithë rrethet e Shqipërisë. Ishin edhe jashtë vendit, në Maqedoninë e Veriut, dhe sidomos në Kosovë, ku e donin dhe e respektonin aq shumë. Edhe atyre, padyshim që i mungon shumë.

I mungon publikut, sidomos atij shkodran, që e ndiqte me vëmendje dhe respekt në median e shkruar dhe kryesisht atë vizive, teksa drejtonte emisionet sportive televizive së bashku me kolegen e tij, Drilona Hoxha duke trajtuar ecurinë e ekipeve të Vllaznisë të të gjitha sporteve.

Padyshim, që i mungon jashtë mase familjes së tij të madhe Zhivani, dhe në veçanti dy fëmijëve të tij të vegjël, Ertit dhe Antonelës, dhe bashkëshortes Vali.

Edhe pse fizikisht nuk është më mes nesh, kujtimet dhe mbresat e pafundme që ka lënë pas, bëjnë që ai të jetë përherë i pranishëm në bisedat tona të përditshme, ashtu siç ishte ai, i dashur, korrekt, miqësor, i ngrohtë dhe i sinqertë me të gjithë.

I mungon Mejdani grupit mediatik në kafen e mëngjesit, që zakonisht e konsumonim së bashku, por, në tavolinë, tashmë kemi një Zhivan tjetër, nipin e tij, Klodianin, gazetarin e mirënjohur të TOP Channel për Shkodrën që mban gjallë me plot dinjitet traditën e mbiemrit “Zhivani” në media. Sa shumë do të krenohej Mejdani me të, nëse do të vazhdonte të jetonte, ashtu siç do të krenohej edhe me Klodeten Zhivani, mbesen sportiste, kapitene të ekipit të Vllaznisë në volejboll për femra. Dhe, çfar emocionesh do të provonte nëse do të kishte mundësinë të shkruante dhe komentonte për të në media!

Ndaj, në këtë përvjetor të shtatë të ndarjes nga jeta, është momenti që ne kolegët e tij të medias, ta risjellim Mejdan Zhivanin në vemendjen e publikut, për ta respektuar dhe nderuar figurën e tij. Na mungon shumë Mejdan, pushofsh në Paqe!

Ndaj, në këtë përvjetor të shtatë të ndarjes nga jeta, është momenti që ta risjellim në vëmendjen e publikut për ta respektuar dhe nderuar figurën e tij. Na mungon shumë Mejdan, pushofsh në Paqe!

Gaspër Marku, dhjetor 2021

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img