Partizani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në transfertën me Skënderbeun, takim i vlefshëm për javën e dytë të Superiores. Pas humbjes në javën e parë përballë Teutës, të kuqtë kanë hedhur një tjetër hap të gabuar, duhet të presin akoma për të provuar shijen e fitores. Në Korçë, të besuarit e Dajës e kanë nisur vrullshëm sfidën, duke u hedhur në kërkim të golit që në minutat e para.
Gjithsesi, sulmi i të kuqve nuk ishte në lartësinë e duhur, kjo dhe për meritë të portierit vendas, Rexhepi, i cili bëri një paraqitje të jashtëzakonshme. Pavarësisht rasteve të krijuar, me një Partizan më sulmues dhe një Skënderbe të kujdesshëm, sidomos në lojën mbrojtëse, pjesa e parë u mbyll me shifrat e bardha 0-0.
Pjesa e dytë, pas dhjetë minutash lojë, solli dhe momentin më të diskutueshëm të kësaj sfide. Një pengim i Carës në zonë në fillim është konsideruar si diçka e rregullt nga gjyqtari i sfidës, por me ndërhyrjen e VAR, situata është përmbysur dhe është akorduar 11-metërsh për të kuqtë. Zhunior nuk ka gabuar nga pika e bardhë, 1-0 për Partizanin.
Por avantazhi i të kuqve është zhdukur sa hap e mbyll sytë, pasi Berisha, duke përfituar dhe nga një gabim i Damceskit me Hoxhën, ka arritur të shënojë golin e barazimit. 1-1, një rezultat që në atë moment i shkonte më për shtat Skënderbeut, duke e vendosur në pozita mbrojtëse. Partizani e kishte të pamundur të bënte më shumë, në fund u pajtua me barazimin 1-1.