Kombëtarja U-18: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba, Toverlani. Trajner: Ardi Behari
Kombëtarja U-18 ka fituar me rezultatin 3-0 miqësoren me Kombëtaren U-17 të zhvilluar këtë të premte në kompleksin “Internacional” në Pezë Helmes. Një test që u ka shërbyer të dyja skuadrave për të parë gjendjen aktuale të futbollistëve të vitlindjes 2004, 2005 dhe disa të vitlindjes 2006.
Mes emrave të formacionit të 18 vjeçarëve kuqezi spikat edhe ai i shkodranit, Klevis Bebeziqi. Mesfushori me tipare sulmuese i dalë nga Akademia Vllaznia, firmosi dy muaj më parë një kontratë profesionisti me skuadën sllovene, Olimpija e Ljubljanës me afat dy vjeçar. Ndonëse një periudhë jo shumë e gjatë që është bërë pjesë e Olimpijas, përvoja sllovene ka dhënë ndikimin e vetë që Bebeziqi të merrte vlerësime shumë pozitive për atë që dha në fushën e lojës gjatë miqësores që kombëtarja U-18 zhvilloi me kombëtaren U-17.
Kombëtarja U-17 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku e ka nisur ndeshjen me këtë formacion: Totoshi, Basha, Alite, Marku, Ziu, Ad. Kurti, Ruci, Rama, Reci, Syla, Bode.
Ndërsa, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari hodhi në fushë këtë 11-sh startues: Simoni, Burgaj, Sina, Taleb, Dervishi, Skënderaj, Zengu, Bebeziqi, Hasani, Biba, Toverlani.
18-vjeçarët e nisën mirë ndeshjen, duke treguar superioritet dhe në minutën e 30-të gjetën golin e avantazhit që u shënua nga sulmuesi Santino Biba. Pjesë e parë u mbyll 1-0 në favor të Kombëtares U-18, ndërkohë që me fillimin e pjesës së dytë trajnerët e të dyja skuadrave bënë zëvendësime duke aktivizuar të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë miqësore.
Në minutën e 60-të vjen edhe goli i dytë i Kombëtares U-18, që u shënua nga Lorenco Hasani, teksa në minutën e 75-të erdhi dhe goli i tretë i realizuar nga Igli Rrapi, i cili kishte hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë. Një gol që fiksoi edhe rezultatin përfundimtar të miqësores në shifrat 3-0 në favor të Kombëtares U-18. Të dy trajnerët u shfaqën të kënaqur me përgjigjet që morën nga lojtarët e grumbulluar për këtë test të radhës.
Duhet theksuar se Kombëtarja U-17 vinte pas miqësores së 22 shtatorit me Kosovën U-17, të luajtur në Prishtinë dhe që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Për këtë arsye trajneri Bulku aktivizoi kryesisht lojtarët që nuk luajtën në Kososë dhe ata që u aktivizuan më pak minuta. Këto ishin dy miqësoret e fundit për 17-vjeçarët para pjesëmarrjes në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian 2022, që luhen në muajt tetor-nëntor në Irlandën e Veriut. Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 12 së bashku me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.