Apolonia-Vllaznia 1:3(Shënues: Kananaj 5’/ Ivziku 23’, Çoba 28’(p), 90’(p)
E mërkurë, 29 shtator 2021, ora 14.00, stadium “Loni Papuçiu” i qytetit të Fierit
Vllaznia: Kristi Qarri, Klejdi Paloka, Klaudio Leka, Uhejd Hoxha, Mehdi Çoba, Geralb Smajli, Rinor Peku, Egzon Shimaj, Eraldo Dede, Merian Muliu, Joald Ivziku. Trajner Dean Sibson(U aktivizuan gjatë ndeshjes: Lensi Çaku, Denilja Moleci, Klesti Troshani, Armir Osmani, Jozefin Rrasa, Gledjan Pusi, Olsi Mali, Arif Amuli)
Vllaznia U-21 e ka nisur në mënyrë më të mirë kampionatin kombëtar të kategorisë Superiore U-21 teksa ka regjistruar fitore që në javën e parë. Së bashku me kampionatin e sezonit të ri 2021-2022, ka startuar në pankinën kuqeblu edhe dyshja e trajnerëve, Dean Sibson-Borshi, të cilët edhe ato kanë provuar, jo vetëm emocionet e të qënurit në stol, por edhe të fitores së parë me ngjyrat kuqeblu.
Tre nga katër golat e kësaj ndeshje janë realizuar në pjesën e parë. Skuadra vendase e ka filluar mjaft mirë teksa ka kaluar në avantazh që në minutën e pestë me anë të Kananajt. Gol ky që në një farë mënyre ishte një mbështetje morale më shumë për vendasit duke krijuar idenë se do ta kishin të lehtë për ta mbyllur takimin me fitore.
Pësimi i golit duket se i ka shkundur kuqeblutë, të cilët nuk kanë vonuar ta shpërngulin lojën tërsisht në gjysëmfushën vendase, dhe goli i barazimit nuk ka vonuar të dalë në dritë. Ka qënë minuta e 23-të kur sulmuesi Joald Ivziku godet bukur dhe saktë duke e dërguar topin në rrjetën vendase. Barazim 1 me 1, dhe ndeshja fillon edhe një herë nga e para. Tashmë nuk ka më gabim për Vllazninë, e cila duke zbatuar detyrat taktike të trajnerit Sibson gjen në të 28-tën minutë golin e avantazhit përmes një penalltie të shëndërruar në gol nga Mehdi Çoba.
Me avantazhin e Vllaznisë, 1 me 2 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që 45 minutëshi i dytë është edhe më luftarak se ai i pari. Kjo, për faktin se fierakët insistojnë në gjetjen e golit të barazimit, por përballë kanë një Vllazni, që edhe pse në avantazh 1 me 2, luan hapur dhe me sulmet e saj të njëpasnjëshme e bën edhe më të bukur takimin.
Atëherë kur u duk se gjithçka do të mbyllej me shifrat minimale 1 me 2 për Vllazninë, kuqeblutë shënojnë edhe golin e tretë përsëri me anë të Çobës dhe përsëri përmes pikës së penalltisë. Kjo i përket minutës së 90-të duke bërë që i gjithë takimi të mbyllet me rezultatin 1 me 3 në favor të Vllaznisë.
Fitore kjo mjaft e rëndësishme në transfertë, për të cilën ka meritë e gjith skuadra, dhe natyrisht edhe dyshja e timonit drejtues të panikën, trajnri anglez, Dean Sibson dhe kolegu i tij, shkodrani Erdi Borshi.