Për të gjithë ato tifoze femra që dëshirojnë të ndjekin Vllazninë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, hyrja do të jetë gratis. Për to ka menduar presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili realisht e kishte projektuar një iniciativë të tillë gjatë periudhës që ishte në pozitat e sponsorit, por tashmë me mbylljen e proçesit të privatizimit e ka zyrtarizuar plotësisht një gjë të tillë.
Lajmi në fjalë konfirmohet ekskluzivisht për Veriu Sport nga vetë presidenti Alban Xhaferi, pikërisht nga Korça, aty ku ai së bashku me stafin e tij gjendet pranë ekipit kuqeblu në pritje të ndeshjes zyrtare të javës së katërt, Skënderbeu-Vllaznia që luhet në orët e pasdites duke filluar nga ora 16.45.
Sipas numrit një të klubit shkodran, vendimi i marrë, është në respekt të këtij komuniteti, i cili realisht e ka pasur në traditë të kahershme ndjekjen e ndeshjeve të futbollit. Por, tashmë me, kushtet e krijuara që hyrja e tyre në stadium është falas, patjetër që do të japë ndikimin e vet pozitiv në shtimin edhe më shumë të numrit të tyre duke ndikuar kësisoj jo vetëm në mbështetjen e skuadrës, por edhe në zbutjen e klimës në ato raste kur ka ndonjë episod acarues në radhët e tifozërisë.
Përpos, këtij lajmi ekskluziv, Veriu Sport, mëson gjithashtu se së bashku me Xhaferin në Korçë gjendet edhe një koleg i tij biznesmen, për të cilin thuhet se shumë shpejt do të zyrtarisht si një donator i fuqishëm në presidencën e Vllaznisë.