Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka dalë sot në konferencë për mediat, ku ka folur për listën e lojtarëve të grumbulluar para dy sfidave me Hungarinë dhe Poloninë, te vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Tekniku kuqezi foli për mungesat e disa lojtarëve për shkak të dëmtimeve si edhe për rikthimet, duke theksuar se është i përqendruar te lojtarët që ka në dispozicion. Reja shprehu bindjen se grupi aktual ofron alternativa për të bërë zgjedhje në çdo repart dhe shtoi se këtë herë do të ketë gati një javë kohë për të parë gjendjen e secilit lojtar. Sa u takon objektivave, trajneri italian theksoi se është e rëndësishme marrja e një rezultati pozitiv në Hungari për të shpresuar deri në fund ruajtjen e pozicionit aktual në renditje, pra vendin e dytë.
Rikthimet në mbrojtje dhe mungesat në mesfushë – Sigurisht janë mungesa të rëndësishme, siç e thatë ju Laçi dhe Abrashi, janë dy lojtarë që kanë cilësi, lojtarë me dinamizëm, që kanë peshë në lojën e skuadrës tonë, por kemi një grup të madh lojtarësh tashmë, kemi zgjidhje të tjera, duhet t’i modifikojmë, përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme. Duhet të theksoj që për mua ka rëndësi të jemi mirë fizikisht, pra kondicioni i duhur fizik është pjesa kryesore para këtyre dy ndeshjeve. Flasim për Kombëtaren këtu, lojtarët që do të zbresin në fushë duhet të japin maksimumin, kjo është pjesa më e rëndësishme dhe nuk dua të flas për ata që mungojnë, por për ata që kam dhe që të japin maksimumin dhe të bëjnë dy ndeshje të mira.
Sa pikë synojmë në këto ndeshje? – Nuk dua të bëj konsiderata të tilla, do të luajmë ndaj Hungarisë dhe Polonisë dy ndeshje shumë të forta, për të cilat është e tepërt të flas tashmë, por për mua është e rëndësishme që Shqipëria po rritet, ndeshje pas ndeshje. Jemi skuadër kompetitive, duhet të kemi parasysh që një humbje do të na largonte nga ëndrra që kemi për të arritur në play-off-in e Botërorit. Sigurisht, është e detyrueshme të marrim dy rezultate pozitive në dy ndeshjet e ardhshme, një humbje do të na prishte punë. Këto janë dy ndeshjet vendimtare për të shpresuar deri në fund.
Faza mbrojtëse? – Më duhet gjithmonë të bëj zgjedhjet e mia, po të shikoni listën do të vini re se kam marrë dy lojtarë për çdo rol të fushës, kështu që nëse bëni llogaritë, nuk është ndonjë numër i ekzagjeruar. Kam tre lojtarë që luajnë në qendër, si zakonisht. Por kam marrë gjashtë në këtë rast, ka ardhur edhe Dermaku që është rikuperuar, pasi ka munguar në ndeshjet e kaluara. Tashmë e ka kaluar dëmtimin dhe po rikuperohet, ashtu sikurse Veseli që ka pasur probleme fizike dhe jam shumë kurioz t’i shikoj gjatë javës, në çfarë gjendje janë dhe pastaj të bëj vlerësimet e mia. Kam marrë Balliun, i cili po bën shumë mirë me klubin në La Liga në Spanjë, është një lojtar që e kam ndjekur dhe mund të na vlejë shumë për të ardhmen.
Sulmi dhe Manaj? – Sa i përket pjesës sulmuese, në bazë të asaj që unë do të shoh gjatë kësaj jave, do të bëj edhe zgjedhjet e mia. Sigurisht, është diçka e mirë që do të kemi një javë kohë për të punuar dhe për të parë nga afër të gjithë grupin e lojtarëve. Sa i përket Manaj, dje luajti 90 minuta, sigurisht nuk është e thjeshtë të bëhet integrimi, pasi sapo është transferuar te Spezia, ka luajtur dy herë nga 20 minuta. Do ta shoh këtë javë, është e rëndësishme që ai është stërvitur me ekipin dhe më duhet ta shoh se në çfarë gjendje është. Edhe Cikalleshi ka luajtur vazhdimisht me klubin, Broja gjithashtu. Mendova të marr sa më shumë lojtarë pasi kemi një javë kohë dhe t’i shoh gjatë javës. Deri të shtunën do të them me siguri të plotë se në ç’gjendje janë lojtarët.
6 pikë në të dyja ndeshjet? – Me Poloninë duhet me doemos të fitojmë, është rivali ynë direkt në grup kështu që nuk kemi alternativë tjetër. Nuk më pëlqen të bëj llogari të tilla, para ndeshjeve. Dua që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Tani kemi Hungarinë, një sfidë shumë vendimtare dhe më pas Poloninë. Në rastin më të keq, duhet të paktën të marrim tre pikë në ndeshjen ndaj Polonisë për të ruajtur pozicionin që kemi dhe për të shpresuar deri në fund. Ideale për mua do të ishte 4 pikë në këto dy ndeshje.
Shanset për t’u kualifikuar? – Anglia është skuadra më e mirë në grupin tonë dhe thuajse e ka të sigurtë kualifikimin për në Botëror. Duhet të kemi shumë kujdes Poloninë, që për momentin është rivali ynë kryesor. E rëndësishme është që shanset që ne kemi për të arritur në play-off varen nga ne, pasi jemi aktualisht të dytët dhe e kemi ne në dorë. Nëse e mundim Poloninë, jemi në rrugë të mbarë, por aktualisht Shqipëria, Hungaria dhe Polonia, kemi shanse të njëjta për të arritur në fazën play-off. Jemi në kondicionin e duhur për të arritur këtë objektiv. Gjithçka varet nga ne.
Çështja Xhaka? – Më vjen keq për Xhakën, për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë, por ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë, edhe vitin e kaluar edhe së fundmi, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë që të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgoj ftesa për faktin që ai nuk po vjen. Nuk na e ka thënë pse nuk vjen, ndoshta ka vendosur të fokusohet te klubi. Më vjen keq, pasi është një lojtar me eksperiencë, por faktet janë këto.
Bajrami? – Bajrami është një nga ata lojtarë që me karakteristikat që ka i duhet kësaj skuadre, na duhet ne. Ka aftësi shumë të mira teknike, është i shpejtë, driblon kundërshtarin, është shumë i vlefshëm në momente të caktuara. Duhet pak kohë që të integrohet plotësisht. Në ndeshjet e shtatorit, ai u fut menjëherë me ekipin, vinte nga Serie A ku po luan shumë mirë dhe presioni ishte i lartë. Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që kur vjen në Kombëtare, ai të jetë mirë, sepse Kombëtarja është shumë impenjative dhe shpresoj që në këto ndeshje të japë maksimumin.
Mungesat e Laçit dhe Abrashit? – Kam dy vite që punoj vazhdimisht duke marrë lojtarë të ndryshëm dhe duke ngushtuar gjithmonë grupin e lojtarëve dhe mendoj se kemi alternativat e duhura edhe kur kemi mungesa. Sigurisht, mungesat e Laçit dhe Abrashit janë të rëndësishme, por mendoj se kam lojtarë të tjerë që mund t’i mbushin këto boshllëqe. Kam katër lojtarë për dy role, kam Çekiçin që po luan shumë mirë në Turqi dhe mund të bëjë shumë mirë. Dikur kam pasur Memushaj në atë rol, por nuk e kam më. Përveç Çekiçit, kemi edhe Bajramin, që na ndihmojnë shumë në aspektin ofensiv dhe në mbrojtje. Pastaj kemi Baren dhe Gjasulën, dy lojtarë që luajnë rregullisht dhe kanë minuta në këmbë.
Kam besim te lojtarët që kam grumbulluar, kam gjithashtu Çokajn që është një lojtar i ri dhe po luan me klubin dhe më duket mirë fizikisht. Është edhe Ramadani, nuk dua të qahem për mungesat, por dua të fokusohem te lojtarët që kam grumbulluar. Kemi një grup të reduktuar dhe kompakt pas dy vitesh dhe më vjen mirë që jemi pjekur si ekip, kemi bërë paraqitje të mira. Mendoj se mund të luajmë si të barabartë me çdo rival në fushën e lojës dhe mund të jap rastin e Polonisë, kur ne na u mohua një penallti, që nëse do të na ishte dhënë, do të kishte ndryshuar ndeshjen dhe rezultati mund të kishte qenë ndryshe. Ne po rritemi dhe cilësitë janë shumë të rëndësishme në një skuadër dhe ne nuk na mungojnë. Më vjen mirë që tani mund të përballemi me çdo kundërshtar dhe të luajmë shanset tona.