Vllaznia U-21-Kukësi U-21 4:0(Shënues: Ivziku 25’, 52’, 81’, Pusi 89’)
Dy ndeshje, dy fitore, ky është bilanci i skuadrës së 21 vjeçarëve të Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik 2021-2022. Javën e kaluar skuadra e drejtuar nga anglezi Dean Sibson dhe kolegu i tij Borshi mundi Apoloninë në transfertë me rezultatin 1 me 3, ndërsa sot korri një tjetër fitore të rëndësishme duke mundur në shtëpi Kukësin me rezultatin e thellë 4 me 0.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” ishte me një Vllazni totalisht dominuese ndaj ekipit mik. Goli i parë për skuadrën kuqeblu shënohet në minutën e 23-të nga Joald Ivziku, pikërisht nga ai që shënoi golin e parë edhe në transfertën e javës së parë në Fier ndaj Apolonisë. Me avantazhin 1 me 0 për Vllazninë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë shtatë minuta nga starti i së dytës është përsëri Ivziku që tund rrjetën kukësiane.
Minuta e 81-të ka përsëri gol për Vllazninë dhe përsëri është i njëjti autor, Joald Ivziku që shënon golin e tretë personal në këtë ndeshje, këtë radhë përmes një penalltie të dhënë në favor të kuqebluve. Megjithatë, këtë gol ai duhet ta ndajë me kolegun e tij Uhejd Hoxha, sepse realisht, ishte ai që stafi i besoi goditjen e njëmbëdhjetëmetërshit. Por Hoxha, duke kopjuar argjentinasin Messi, ndërsa pritet të godasë drejt portës, pason në të djathtë për Ivzikun i cili gjuan saktë në rrjetën kukësiane, duke konkretizuar kësisoj një skemë që ato dukej qartë që e kishin aplikuar rnë proçesin stervitor.
Vllaznia 3 dhe Kukësi 0, ose më saktë mund të thuhet, Ivziku 3 dhe Kukësi 0. Tripletë kjo e Joald Ivzikut që së bashku me golin e javës së parë shkon në kuotën e katër golave individualë në dy javë kampionat.
Por, nuk mbaron me kaq, sepse ka vend edhe për gol tjetër për ngjyrat kuqeblu, autor i të cilit është Gledian Pusi në minutën e 89-të duke vulosur kështu rezultatin e thellë 4 me 0 në favor të Vllaznisë, e cila me dy fitoret e realizuara në dy javë kampionat kryeson renditjen e Superiores U-21 me 6 pikë të plota dhe me golavererazh pozitiv, 7 me 1.