Qeveria e Kosovës ka shpallur Majlinda Kelmendin “Qytetare me merita të veçanta” për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku, se ajo do të vazhdojë të punojë në trajnimin e të tjerë sportistëve të xhudos.
“Propozoj që Majlinda të shpërblehet 1321.32 euro në muaj që është e barazvlefshme me pagën e ministrit të Kosovës”, – ka thënë ai. Një vlerësim ky i jashtëzakonshëm i Qeverisë së Kosovës për kampionen evropiane, botërore dhe olimpike, e cila u bë e para shqiptare që fiton medalje në festivalin më të madh sportiv në planet. Ndërkaq, në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) kanë vlerësuar faktin që Majlinda Kelmendi do të mbetet në sportin e xhudos, ndonëse ka përfunduar karrierën si garuese.
IJF-ja ka publikuar të martën një shkrim të gjatë për karrierën dhe arritjet e Majlindës në xhudo, ndërsa ka shkruar edhe për tërheqjen e saj dhe rolin e saj të ri në këtë sportin e xhudos. Majlinda tashmë ka nisur punën si trajnere, pas tërheqjes nga sporti pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Ajo është bërë pjesë e ekipit të trajnerit Driton Kuka. “Do të na mungoj paraqitja e saj në tatami, por mezi presim ta shohim atë në karrigen e trajnerëve”, ka thënë Lisa Alan, drejtoreshë e garave në IJF.
“Na duhen më shumë trajnere dhe është gjë e madhe të shohim ish-sportiste elitare si Majlinda duke kaluar në fazë tjetër të karrierës së tyre në xhudo, – ka vijuar Alan. – Ajo është model fantastik për të ndjekur. Dedikimi i Majlindës, përvoja dhe etika e punës do të jenë inspirim për sportistët që do t’i drejtojë ajo. Ne i dëshirojmë asaj çdo të mirë dhe shumë suksese në të ardhmen”, ka përfunduar zyrtarja e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.