Që ka një konflik në mes sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferi dhe administratorit Benjamin Naku, tashmë është krejt e qartë se ekziston. Ndonëse me pak vonesë, pasi realisht zhurma mediatike dhe ajo në rrjetet sociale ka ditë të tëra që flasin dhe interpretojnë në mënyra nga më të ndryshmet, erdhi momenti që edhe palët e përfshira në konflikt të flasin për publikun duke dhënë prononcimet e para rreth kësaj çështje.
I pari që e ndërmori këtë hap ishte administratori i KF Vllaznia SH.A, Benjamin Naku, i cili përmes një deklarate për shtyp sqaroi ngjarjen në fjalë duke këmbëngulur se asgjë e thënë deri më tash në adresë të tij nuk është e vërtetë.
Deklarata e administratorit Benjamin Naku
“Që nga dita e ndeshjes Vllaznia-Elbasani, e zhvilluar në Shkodër më dt. 13.11.2020, ndaj personit tim, media të ndryshme kanë përcjellë një ngjarje tërësisht të deformuar nga e vërteta. Thelbi i asaj që kanë përcjellë mediat është sikur unë, në cilësinë e administratorit të “KF Vllaznia” sh.a., paskam tentuar të ndaloj hyrjen në Stadiumin “Loro Boriçi”, të sponsorit në partneritet me KF “Vllaznia”, z. Alban Xhaferi. Gjatë këtyre ditëve kam zgjedhur të hesht, koshient se zhurma nuk i shërben klimës dhe imazhit të KF “Vllaznia”. Por, duke parë se ngjarja e pretenduar vazhdon të përdoret për të cënuar mbarëvajtjen e punës në KF “Vllaznia”, ndjehem i detyruar të sqaroj opinionin sportdashës të Shkodrës dhe më gjërë për ngjarjen e plotë dhe të vërtetë: Me dt. 13.11.2020 në Stadiumin “Loro Boriçi”, zhvillohej ndeshja e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, Vllaznia- Elbasani. Për shkak të pandemisë, protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të FSHF-së, nuk lejojnë që ndeshjet të zhvillohen me spektatorë. Klubet organizatore të ndeshjeve janë të detyruara që të depozitojnë në Policinë e Shtetit emrat e jo më shumë se 10 personave për secilin ekip (drejtues, pjesë stafesh, apo lojtarë) që kanë të drejtë ta ndjekin ndeshjen nga tribuna dhe i gjithë procesi i hyrje-daljeve në stadium menaxhohet nga Policia e Shtetit. Natyrisht që emri i sponsorit, Alban Xhaferi, ishte përfshirë në listën e personave të lejuar të ndiqnin ndeshjen (faximile si më poshtë, si dhe e botuar në gazetën “Panorama Sport”, dt. 14.11.2020). Gjatë procesit të hyrjes së personave të lejuar për të ndjekur ndjeshjen, kam parë një nga punonjësit e Policisë së Shtetit të komunikonte me Z. Xhaferi. Në këtë moment jam afruar dhe i kam kërkuar punonjësit të Policisë së Shtetit të shikonte listën, pasi në të gjendej emri i sponsorit. Më pas gjithçka është zgjidhur dhe s’ka patur asnjë incident të pretenduar ndërmjet meje dhe z. Xhaferi. E gjitha kjo mund të vërtetohet lehtësisht edhe nga kamerat e sigurisë dhe nga deklarimet e punonjësve të Policisë së Shtetit të pranishëm në këtë situatë.”
Nuk ka vonuar shumë, dhe rreth 2 orë më pas ka ardhur edhe prononcimi i sponsorit Alban Xhaferi, gjë të cilen ai ka preferuar ta bëjë përmes një lidhje direkt me skype në emisionion “Sport Show” në TV1 Channel. Pasi më përpara, drejtuesja e emisionit, gazetarja Silvi Kastrati, kishte lexuar live deklaratën për shtyp të administratorit Naku, i ka lënë radhën sponsorit Xhaferi të japë sqarimet e tij si palë në konflikt rreth kësaj ngjarje shumë të komentuar.
Sponsori Alban Xhaferi:
“Unë nuk dua të merrem shumë me pjesen e incidentit që ka ndodhë, por unë dua të jap një mesazh. Ashtu siç ne po ndërtojnë një Vllazni kampione në kontekstin teknik, në kontekstin e skuadrës, ashtu duam të ndërtojmë një administratë kampione, sepse këto të dyja shkojnë paralelisht. Nuk mund të pretendojmë të kemi një Vllazni të fortë, nëse nuk kemi një administratë të fortë. Siç dihet, Vllaznia ka të trashēguar një të shkuar shumë të tmerrshme që ka në lidhje me borxhė, me gjyqė të hapura dhe sot Vllaznia SH.A është një kompani, shoqëri aksionere, e cila i ka të dhënat financiare në nivelet më të ulëta për fatin e keq. Dhe, normalisht, pērgjegjëse për këtë gjë është edhe administrata, e cila pavarësisht problemeve që mund të ketë hasë, nuk ka përformu ashtu siç duhet. Ky është fakt dhe nuk mund të mohohet. Kështu, ka ardhur momenti që siç po ndërtojmë një skuadër pretendente me të gjithë komponentët e saj, ashtu duhet të ndërtohet edhe një administratë që të jetë gjithmonë në nivelet më të larta të mundshme. Një adminitratë që të ecin paralelisht dhe të përmirësohet vazhdimisht në të gjitha nivelet e përformances financiare, gjithashtu edhe proçeset gjyqësore që ka dhe gjithçka të ecë në harmoni, kjo është e rëndësishme.”
Xhaferi e thotë hapur, nuk e do në staf Nakun
Nëse deri më tani ka pasur aludime, nëse vertet ekziston apo jo një ftohje të marrëdhënieve në mes sponsorit Xhaferi dhe administratorit Naku, me atë që Xhaferi deklaron në vijin të prononcimit të tij live me studion sportive të TV1 Channel, tashmë nuk ka asnjë dyshim se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur keq, deri në atë mënyrë që ai nuk e peferon ta ketë më në staf administratoritn aktual. Dhe, pasi i ka paraprirë me komentet e mësipërme keqmenaxhuese sipas tij të administratës së mëparshme në përgjithësi, shigjeta është drejtuar direkt me emër konkret tek administratori aktual, Benjamin Naku, i cili për hirë të së vertetes ka vetem pak ditë që e ka marrë këtë detyrë.
“Duhet të kuptojmë edhe diçka që për fatin e keq tek Vllaznia vazhdon të ketë pjesëtarë të stafit, si administratori që ka një dypunësim. Ai ka një kontratë të plotë me Universitetin e Shkodrës, dhe gjithashtu ka edhe një dypunësim si administrator i SH.A Vllaznia. Që këtu ka një konflikt të hapur interesi, sepse në bazë të ligjit që në pjesen e profesionit të tij që është professor duhet të punojë 40 orë pune tek Universiteti. Unë nuk e kuptoj se ku e gjen kohën e duhur që administratori të vijnë edhe tek SH.A Vllaznia. Këto janë probleme, që ka ardhë momenti, dhe që shpresoj edhe tek procesi i privatizimit, t’i japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, për t’u kthyer në parametra normal të punës, duke shkuar tek sllogani që e kemi bërë të ditur më herët, “Rikthim tek Suksesi”, shprehet sponsori Xhaferi.
Një deklaratë kjo publike që nuk ka nevojë fare për koment, sepse mesazhi duket i qartë dhe i plotë. Ftohja e marrëdhënieve mes tyre, sponsorit Xhaferi dhe administratorit Naku, tashmë është prezente edhe në publik, deri në atë pikë sa Xhaferi dhe stafi i tij kanë kërkuar zyrtarisht edhe në kupolën presidenciale pranë kryebashkiakes Voltana Ademi që ai të largohet nga kjo detyrë.
Konflikti, jo në kohën e duhur
E gjitha ajo që përcollëm më sipër pritet të shoqërohet me zhvillime të reja në kampin kuqeblu, qoftë në argumentet mbrojtëse të administratorit, apo edhe në atë të qëndrëses së stafit “Xhaferi” për të kërkuar një administrator tjetër në vendin e Nakut. Në pritje të këtyre zhvillimeve, për të cilat kryebashkiakja Voltana Ademi ka një peshëntë amdhe vendimmarrje, ajo që shqetëson opinionin sportiv, dhe më së shumti në radhët e specialistëve dhe analistëve të sportit, ka të bëjë me faktin se një konflik i tillë nuk duhej të shfaqej në një moment të tillë. Vllaznia luan të shtunën një ndeshje shumë të rëndësishme, pse jo edhe përcaktuese kryesisht në aspektin moral kur pet në “Loro Boriçi” rivalin tradicional, Tiranën kampione. Dhe, frika në këtë rast qëndron në atë se mos një situatë e tillë paksa acaruese dhe konfuze në kupolën drejtuese të klubit, mund të japë efektin negativ në skuadrën kuqeblu. Sponsori Xhaferi dhe pjesëtarë të tjerë të stafit kuqeblu kanë garantuar se grupit kuqeblu me në krye trajnerin Thomas Brdariç i janë krijuar të gjitha kushtet e duhura për të qëndruar sa më larg kësaj situate. Ato kanë bindjen e plotë se në përballjen me Tiranën, Vllaznia do të japë më të mirën e saj, me objektivin e marrjes së fitores së tretë radhazi për të vijuar qëndrimin në krye të tabeles së klasifikimit.
Gaspër MARKU