Monday, November 25, 2024

Flamuri i Vllaznisë në “Uembli”. Bekim Balaj i dhuron fanelën e tij tifozit shkodran, Alberto Filipi

Lexo

Ashtu si tifozë të tjerë të shumtë kuqezi që ishin të pranishëm në stadiumin mitik të Londrës, “Uembli”, edhe shkodrani Alberto Filipi, ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës tonë kombëtare, e cila u mund me rezultat të thellë 5 me 0 nga kombëtarja angleze. Megjithatë, mbrëmja e së premtes i ka rezervuar një surprizë të këndshme tifozit shkodran, sepse pas ndeshjes ka marre një dhuratë, që siç thotë edhe ai vete, e vlerëson jashtë mase,

Detajet, na i përshkruan vetë tifozi shkodran, Alberto Filipi gjatë një komunikimi që kishte me “Veriu Sport”.

Tifozi shkodran, Alberto Filipi

“Unë jetoj në Angli prej disa vitesh familjarisht, dhe së bashku me mua është edhe një kontigjent i madh familjesh shkodrane këtu në Londër. Sidomos nga zona e ime, Gajtan, Guri i Zi, Rragam, Rrenc, Juban, etj, dhe me thënë të drejtën, kishim ditë të tëra që e prisnim me shumë emocion datën e ndeshjes me Anlinë. Ndaj, të gjithë së bashku me familjet tona, ishin në stadium shumë orë përpara ndeshjes”, thotë Alberto.

Në vijim, Alberto, thotë se me vete kishte marrë edhe flamurin e Vllaznisë, pasi ai bën pjesë në grupin e tifozëve ultras kuqeblu, madje, në pjesën e fundit të sezonit të kaluar ai ka qëndruar në Shkodër përrreth dy-tre muaj duke mbështetur ekipin e zemres, në ndeshjet brenda si dhe ato jashtë.

Flamuri i Vllaznisë

“Flamurin e kisha marrë me vete për dy arsye. Së pari për të promovuar Vllazninë në një ndeshje të madhe si kjo Angli-Shqipëri, por edhe për ta përdorur si joshje ndaj futbollistëve shkodranë të kombëtares kuqezi në mënyrë që marrë fanelen e tyre pas ndeshjes. Dhe, formula funksiunoi me Bekim Balajn, i cili përpara ndeshjes, në momentin që u paraqitën në stadium duke prekur fushën e lojës siç është zakon, kur më pa me flamurin e Vllaznisë në dorë, erdhi vetë të më takojë, mua dhe të gjithë grupin tonë të shqiptarëve. Gjatë këtij momenti, e pyeta nëse ka ndërmend të kthehet ndonjëherë tek Vllaznia, dhe ai e konfirmoi se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt. Në lidhje me fanelen, ma premtoi se do të ma jepte, dhe e lamë të takoheshim përsëri pas ndeshjes”, thotë Alberto.

Gjesti i Bekim Balajt

Mbyllja e ndeshjes, për vetë rezultatin negativ që regjistroi kombëtarja e jonë, krijoi një atmosferë konfuze në radhët e grupit të tifozëve kuqezi, por që gjithësesi, shumë prej tyre u mblodhën për t’u përshëndetur me futbollistët tanë.

“Konfuzioni në tribunën e grupit të shqiptarëve ishte aq i madh, sa humba shpresën e një rilidhje sërishmi me Balaj. Por, ai nuk vonoi dhe u shfaq tek tribuna e jonë dhe unë po e shikoja qartë nga larg se ai ishte i hutuar dhe diçka po kërkonte me sy. E kuptova në çast, se po më kërkonte mua, dhe menjëherë ngrita flamurin e Vllaznisë lart dhe e thirra në emër, Balaj-Balaj! Menjëherë sa më pa, u ngjitë me shpejtësi në radhën e dhjetë të tribunës ku isha unë dhe më dorëzoi fanelën e tij. Një dhuratë, por edhe një gjest i Bekim Balajt, që nuk kam për ta harruar kurrë. Ishte Vllaznia, një flamur me këtë emër të madh që na lidhi dhe na bashkoi në Angli, në Londër, dhe në mitikun “Uembli”. E mbi të gjitha, ishte Balaj, një djalosh model, si në fushën e lojës dhe jashtë saj që meriton respektin maksimal, jo vetem nga unë, por edhe të gjithë ato që e panë gjestin e tij.

Falenderimi i Albertos

Faleminderit Bekim Balaj! Shpresoj dhe uroj të shikoj sa më shpejt në “Loro Boriçi” në formacionin e Vllaznisë!”, përfundoi për Veriu Sport, Alberto Filipi, djaloshi nga Gajtani i Shkodrës që jeton në Angli, shumë i njohur për tifon e zjarrtë që bën për Vllazninë, por edhe për aktivitetin e njohur që ai dhe miqtë e tij shkodranë kanë në kampionatet e kalçetos londineze.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img