21 vjeçarët e Vllaznisë po kalojnë momente jo të mira. Skuadra e drejtuar nga traneri anglez Sibson dhe kolegu i tij Ergi Borshi, fillimisht regjistroi disa rezultate pozitive, por, realisht në dy javët e fundit kuqeblutë kanë zhgënjyer, Javën e kaluar, ato barazuan në shtëpi me ekipin e Egnatias, ndërkohë që sot janë mundur në transfertë nga ekipi i Laçit me rezultatin 2 me 0.
Përballja e pasdites së sotme që ishte për llogari të javës së shtatë të Superiores U-21, e cila nuk u luajt në Laç, por në Tiranë, ka folur tërësisht për laçjanët. Dy golat e fitores së Laçit janë shënuar që të dy gjatë minutave të pjesës së parë, fillimisht me autor Prenmgën në minutën e 7-të dhe në limitin e 45 minutave të para me anë të Delit.
Vllaznia ka pasur një pjesë të tërë në dispozicion për të shënuar, dhe pse jo edhe për të përmbysur rezultatin, por edhe pse në formacionin e parë kishte edhe futbollistë të ekipt të parë, nuk ia doli të shënonte të paktën edhe golin e nderit.
Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja përfundon me fitoren e Laçit me rezultatin 2 me 0 duke bërë që Vllaznia të humb një rast të favorshëm, që në rast të marrjes së tre pikëve, të kapte vendin e parë që mbahet nga Dinamo me dy pikë më shumë se sa Vllaznia.
Rezultatet e javës së 7-të të Superiores U-21
Laçi-Vllaznia 2-0
Dinamo-Apolonia 2-2
Tirana-Turbina 4-2
Bylis-Teuta 2-1
Egnatia-Partizani 1-3