Stadiumi “Reshit Rusi” i qytetit të Shkodrës ka rreth një muaj që është jashtë përdorimit. Një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, mbështetur edhe nga Bashkia Shkodër ka bërë që në këtë impiant sportiv shumë të rëndësishëm të qytetit të Shkodrës të fillojnë punimet për ndërrimin e tapetit të vjetër me barin sintetik, për ta zëvendësuar me një tapet të ri, po me bar sintetik.
Tejkalimi i afateve të përdorimit të këtj tapeti, i cili ka sjellë jo pak dëme, si në aspektin e traumave muskulare të futbollistëve që sterviten në këtë fushë, por edhe por edhe të organeve të frymëmarrjes, pasi sipas mjekësisë, aroma e gomës së tapetit të vjetër jep një ndikim negativ për personat që janë prezent, ishte shndërruar në një shëqetësim të madh për klubin Vllanzia.
E ndërsa, vendimi për ndërrimin e tapetit u prit me entuziasëm, nga ana tjetër ecuria shumë e avashtë e punimeve për vendosjen e tapetit të ri po jep një tjetër ndikim negative jo të vogël për dhjetra ekipe dhe qindra sportistë të ekipeve të moshave, përfshirë këtu edhe ekipin e femrave të futbollit të rritura, ekipin e parë të meshkujve, si dhe atë U-21, që me bllokimin e fushës sportive janë të detyruar të shtegtojnë në fusha të ndryshme sportive në periferi të qytetit.
Në vëzhgimin që Veriu Sport bëri ditën e sotme në mjediset e stadiumit ‘Reshit Rusi”, konstatoi se proçesi i parë dhe shumë i rëndësishëm, ai i heqjes së tapetit të vjetër, i cili pati jo pak probleme për t’u realizuar, ka kohë që ka përfunduar.
Siç shikohet edhe nga pamjet filmike, në sipërfaqen e fushës nuk ka asnjë centimetër bar artificial të vjetër, sepse, nisur nga vendimi i mëparshëm i Bashkisë Shkodër, ai është shpërndarë në disa prej shkollave të qytetit.
Por, shqetësimi është se pjesa e shtresës së rërës së gomuar që ka qënë poshtë tapetit është akoma aty. Punonjësit e angazhuar për mbledhjen dhe grumbullimin e saj e kanë bërë një gjë të tillë në mënyrë primitive pa pasur mbështetjen e mjeteve motorike të duhura duke e sistemuar në qeset përkatëse.
Për të përfunduar ky process i pastrimit të rërës së gomuar duhet akoma punë, dhe për këtë kërkohet ndërhyrja e pajisjeve të tjera profesionale motorike për punimin e shtresës së poshtme të fushës. Të gjitha këto pritet të realizohen në ditët në vazhdim duke i dhënë mundësi pastaj vendosjes së tapetit të ri, i cili për hirë të së vertetes ka mbi një muaj që ka mbërritur në Shkodër dhe qëndron në anë të fushës së lojës.
Në deklaratat e mëparshme të klubit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër, pritshmëria e përfunimit të punimeve në stadiumin “Reshit Rusi” ishte për një afat kohor përafërsisht të një muaji. Por, me ritmin shumë ta ngadaltë të punimeve, nëse nuk do të ketë ndërhyrje serioze nga ana e qeverisjes vendore, fusha sportive në fjalë rrezikon të qëndrojë e bllokuar edhe për një afat të gjatë kohor. Jashtë kameras, trajnerë dhe sportistë të ekipeve të moshave, por edhe familjarët e tyre, shprehin shqetësimin se për të konsumuar seancat stervitore, por edhe ndeshjet zyrtare të çdo fundjave, ekipeve në fjalë, që janë të shumtë në numër, u duhet të shtegtojnë në fusha të tjera të periferisë së qytetit. Dhe, ndër të tjera, kjo ka edhe një kosto jo të vogël financiare që rëndon në arkën e Akademisë së Futbollit Vllaznia klubit kuqeblu, dhe patjetër edhe në xhepin e familjarëve të sportistëve të moshave që paguajnë sistematikisht në bazë të kuotës së caktuar mujore.