Kjo e diel ka qenë mjaft e veçantë, jo vetëm se shënon 109 vite pavarësi për shtetin shqiptar, por edhe për shkak se në qytetin e Durrësit u luajt një tjetër vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kjo ndeshje u zhvillua mes veteranëve shqiptarë dhe veteranëve të Kosovës, duke përkujtuar 28 nëntorin, si dita kur u ngrit flamuri shqiptarë në Vlorë dhe Shqipëria u shpall e pavarur.
Të pranishëm ishin edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Përfaqësuesja e veteranëve të Shqipërisë, që kishte në rolin e trajnerin Sulejman Memën, e nisi ndeshjen me këtë formacion: Ilir Bozhiqi, Hysen Zmijani, Alpin Gallo, Armend Dallku, Ardian Mema, Ilir Lame, Ilir Alliu, Agustin Kola, Fatbardh Jera, Migen Memelli dhe Roland Iliadhi.
Gjatë ndeshjes u aktiviuan edhe Luan Pinari, Fjodor Xhafa, Blendi Nallbani, Suad Lici, Bajram Fraholli, , Gilman Lika, Endri Vrapi dhe Elvis Sina.
Ndërsa trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bujar Guta zgjodhi ta nisë ndeshjen me këtë 11-ësh: Naser Prapashtica, Isa Sadriu, Arsim Abazi, Hysni Gjinovci, Sylejman Selimi, Sheremet Isufi, Muhamet Dragusha, Lulëzim Berisha, Synaj Keqi, Muharrem Sahiti dhe Bakir Burri.
U aktivizuan edhe Luan Tabaku, Sami Gashi, Xhavit Mehmeti, Naim Kodraliu, Ilir Izmaku, Fatmir Namani, Sherif Topalli, Jeton Osmani, Tomë Lleshi, Enes Mustafa, Adil Vokrri dhe Bekim Nura.
Miqësorja, e treta për këtë vit e që u luajt në kompleksin “Olympic Park” në Durrës, u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, ndërsa nga pika e penalltive u treguan më të saktë futbollistët e Kosovës, duke fituar me rezultatin 11-10. Ndeshja duroi mjaft emocione dhe momente të bukura, ndërsa pas përfundimit ishte Presidenti Duka dhe presidenti i FFK-së, Ademi që i dorëzuan përfaqësueses së Kosovës trofeun e fituesit, që në mënyrë simbolike është quajtur “Kupa 28 nëntori”.