Kurbinasit kanë triumfuar pasditen e sotme në “Air Albania” ndaj Kukësit që luante si pritës. 1 me 2 në favor të Laçit ka përfunduar kjo ndeshje, fitore kjo që është “ndihmuar” edhe nga Hila, i cili shpërdoroi një penallti të dhënë në favor të Kukësit në minutat shtesë të ndeshjes. Për fitoren e skuadrës së Josës ka menduar Guindo, i cili realizoi një dopietë në harkun kohor të 15-të minutave, përkatësisht në minutat 11-të dhe 14-të.
Për t’u theksuar është se përpara se të shkojnë në pushimin mes dy pjesëve, kukësianët kanë arritur të shënojnë në portën laçjane, por goli është bërë i pavlefshëm nga kryesori Kredenc Meta, i cili duke vëzhguar nga afër pamjet filmike dhe në konsultim me asistentët e sistemit VAR e ka anoluar atë duke sjellë pakënaqësi të shumta në kampine skuadrës verilindore.
Orientimet e dhëna nga italiani i pankinës kukësiane në dhomat e zhveshjes Diego Longos japin efektin e duhur, kur dhjetë minuta nga starti i së dytës shkurtojnë diferencen e disavantazhit me golin e Edi Bashës.
Goli i jep moralin dhe forcën e duhur kukësianëve për të kërkuar golin e barazimit, dhe për këtë punojnë shumë duke qënë shumë pranë tij. Nëse Hila do të kishte qënë i saktë në ekzekutimin e njëmbëdhjetëmetërshi të shkaktuar nga Ignjatoviç në limitin e takimit, skuadrat do të ndanin nga një pikë. Por, gabimi i Hilës ndëshkoi Kukësin duke e lënë pa asnjë pikë në këtë ndeshje, gabim që u festua në kampe njëherazi.
Natyrisht që kurbinasit me në krye trajnerin Josa, por edhe presidentin Pashk Laska, janë të parët që shijojnë marrjen e tre pikëve, të cilat e ngrejnë Laçin në kuotën e 18-të pikëvge, dy më pak se Vllaznia e vendit të tretë. Por, së bashku me laçjanët festonë edhe bardheblutë që i gëzohen thellimit në diferencës me Kukësin në katër pikë, i cili duke mbetur në kuotën e 23 pikëve ka presionin e Vllaznisë me 3 pikë më pak.