Me derbin, Partizani-Tirana, takim ky i mbyllur pak minuta më parë në stadiumin “Air Albania” është mbyllur edhe java e 15-të e Abissnet Superiore. Fitore drithëruese dhe tejet emocionuese e bardhebluve, të cilët në limitin e takimit, ose më saktë në minutën e 100-të shtese të krejt takimit nga ana e Xhixhes mundin Partizanin me rezultatin 1-2. Me tre pikët e sotme, Tirana e drejtuar me kompetencë nga Orges Shehi, shkon në kuotën e 33 pikëve, 5 më shumë sesa Kukësi i vendit të dytë, 6 plus nga Laçi i vendit të tretë dhe plus 8 nga Vllaznia e vendit katërt.
Referuar asaj që ofroi derbi, i cili me vonesat e shumta që pati takimi shkoi deri në minutën e 100-të, do të mbahet mend për shumë elemente që regjistroi takimi. Katër ndërprerje të lojës për minuta të tëra nga ekzaltimi i tifozerive, që nxehën mbrëmjen e ftohet në Arenën Kombëtare të vendosur nga golat e Përgjonit e Junior, e pas 11 minutash shtesë të përcaktuar nga Xhixha. Arratiset Tirana e Shehit e ndihmuar nga ndalesa e ndjekësve, me triumfin e dytë në ndërqytetase këtë sezon të vështirë për Partizanin, që del -7 nga orbita Europë.
Pa Najdovskin, por me Xhixhën, Tirana kishte marrë masat për një ndeshje agresive, por në anën tjetër edhe Daja gjithashtu, me shkëndijat e para të dhëna nga Cara që në sekondat e para, tension që iu përcoll edhe tifozëve që mbytën atmosferën me fishekzjarret për ndalesën e parë të lojës. Tirana është e vrullshme dhe testimi i reflekseve të Teqjas, në konkluzionin e Ngo’o kaloi shpejt në britmën e tifozerisë bardheblu të etur për një gol, aq sa për të mos vënë re sinjalizimin e pozicionit jashtë loje të Xhixhës.
Ndeshje me ritëm dhe përgjigje e kundërpërgjigje: Hoxhallari në të 16 detyroi Teqjan të ndërhynte, ndërsa tentative e Malës u devijua përpara se të shkonte te Bekaj. U luajt për pushtetin në mesfushë, por të kuqtë duhet të kujdeseshin edhe për një si Seferi, që kërkonte kënaqësinë e golit të parë në derbin me të kuqtë. Është momenti i Tiranës, që me presingun asfiksues impresionoi Teqjan, por përfituesi Xhixha gjeti Sotën në diagonalen e tij, me mbrojtësin që shpëtoi rezultatin për një minutë më shumë.
Në të 27, në zhvillimet e një goditje këndi, goditja e Ngo’o u përplas të Përgjoni për të përfunduar në rrjetë. Një atmosferë për zemër në dorë dhe pikërisht rëndimi shëndetësor i një tifozi ndali ndeshjen edhe 5 minutat të tjera, përpara se Xhixha ta mbyllë pjesën e parë me frikën e Partizanit se mund të shkonte në pushim nën dy gola, ankth që për fatin e Dajës nuk u konkretizua. Partizani nuk mund të lejojë një tjetër derbi të humbur, por nuk ka idenë e duhur për të kërkuar barazimin, edhe pse u mundua të instalohet në zonën kundërshtare.
Euforia, më shumë se lojtarët, peshon mbi tifozët që i japin një tjetër pauzë ndeshjes, penalizuese për të kuqtë që mundohen të ngrenë ritmin e në favor të Tiranës që mundohet të nxjerrë në fushë cinizmin, me kundërsulmet e Seferit e Xhixhës që tentojnë portën kundërshtare, për të mbyllur ndeshjen. Por ndodhi krejt e kundërta me një naivitet të Tolit, që në sytë e Xhajës në të 78 pengoi Carën për një 11 metërsh, që mendimin nuk ia ndryshuan dot as protestat e Tiranës që kërkonin rishikimin e pamjeve nga VAR.