Vllaznia U-17 me trajner Edmond Doçin ka një “xhevahir” në gjirin e saj. Ai është Markelian Guri, djaloshi i imët, mjaft teknik, i fortë dhe këmbëngulës, sidomos në lojën në krah, i cili ia ka bërë për vete të gjithë mjedisin sportiv të futbollit të moshave në Shkodër.
Krahas të tjerave, Marko siç e thërrasin shokët e ekipit spikat për qetësinë e tij në fushën e lojës, veti që e shoqëron edhe jashtë fushe, në jetën e përditshme duke qënë një djalë model dhe shembullor në të gjitha drejtimet. Është kjo arsyeja që të gjithë e duan dhe e respektojnë Markelianin, i cili për hirë të së vertetes po spikat jashtëzakonisht shumë edhe si futbollist.
Me 18 korrik të këtij viti, Markeliani mbush 17 vjeç. I gjatë 1 m dhe 75 cm dhe me peshë trupore 63 kg, janë të dhëna të përsosura për një futbollist për të shprehur më të mirën në fushën e lojës. Dhe, këtë Guri po e bën mjaft mirë teksa në këtë pjesë të parë të sezonit i ka shërbyer Akademisë Vllaznia duke luajtur si titullar për 90-të minuta në të 13 ndeshjet e zhvilluara në këtë fazë. Plot 7 gola ka shënuar individualisht në portat kundërshtare, por shifra mund të kishte qënë edhe më e madhe, nëse ai nuk do të kishte preferuar të shërbejë për kolegët e tij në 9 asiste goli.
Golat e Markelianit, por edhe të kolëgëve të tjerë po aq të talentuar kanë bërë që skuadra e tij, Vllaznia U-17 të jetë më e mira e Grupit A të Kategorisë Superiore, çka dëshmon se tekniku Edmond Doçi ka punuar mjaft mirë me këtë brez futbollistësh, të cilët me të drejtë konsiderohen nga specialistët e futbollit si një e ardhme e sigurtë futbollit shkodran. Ashtu siç është thënë edhe më herët në komentet mediatike, jo vetëm për nga mbiemri, por edhe për mënyrën se si luan dhe si i shënon golat, specialistët e futbollit vijojnë ta krahasojnë me sulmuesin e njohur shkodran Sindrit Guri.
Për ta plotësuar më shumë portretin e Markelian Gurit, mjafton të nënvizojmë faktin, që vitin e kaluar kur ai ishte vetëm 15 vjeç u aktivizua me shumë sukses nga trajneri Altin Xhahysa në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë të futbollit shqiptar duke qënë ndër më të mirët e ekipit.
Puna pasionante dhe mjaft këmbëguse në proçesin stervitor, si dhe të rezultatet zyrtare në fushën e lojës duke qënë golashënuesi më i mirë fazës së parë, janë tregues mjaft pozitiv për Gurin që kërkon dhe synon të avancojë me të njëjtat parametra edhe në ekipin e të rinjëve U-19 duke synuar patjetër ekipin e parë të Vllaznisë që është një ëndërr për secilin futbollist shkodran.
Të gjitha sa thamë më sipër për Markelianin mund t’i vertetoni duke shijuar golat e shënuar prej tij me ekipin e Akademisë Vllaznia U-15 sezonin e kaluar dhe U-17 gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, përmes videos përmbledhëse që shoqëron shkrimin.
(Video-Highlights të Markelian Gurit të Vllaznisë)
Gaspër MARKU