Kishte që lakohej se do të merrte drejtimin e Lushnjes, por sot ka ardhur moment zyrtar që Agim Canaj të marrë drejtimin e KF Lushnja. I njohur si një ish futbollist plot vlera i Dinamos dhe i kombëtares kuqeblu, por në të njëjtën kohë edhe si trajner duke drejtuar skuadat e elitës së Kategorisë Superiore, mes të cilave edhe Vllazninë që më herët, lushnjarët kanë kërkuar prej Canajt ndihmën për të rikthyer Lushnjen në nivelet e duhura, pasi për hirë të së vertetes, pjesa e parë e sezonit nuk ishte aspak e mirë. Vendi i 12-rë në renditje të Kategorisë së Parë me 14 pikë, 3 më shumë se zona e zbritjes në të dytën, detyruan kryebashkiaken lushnjare Eriselda Sefa të shkarkonte në mbyllje të fazës së parë stafin e mëparshëm teknik me në krye trajnerin Ilir Gjyla.
Ka qënë vetë kreu i Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, në cilësinë edhe të Presidentes së Klubit të Futbollit Lushnje, e cila pasi është konsultuar me stafin e saj ka nisur menjëherë bisedimet me teknikun Canaj, një trajner ky me përvojë, por edhe që e njeh mirë ambientin lushnjar, pasi e ka drejtuar këtë ekip edhe në sezonin 2003- 2004 kur ato luanin në Kategorisë Superiore.
Negociatat, Sefa-Canaj kanë përfunduar me sukses, dhe sot ka ardhur prezantimi zyrtar, i cili është zhvilluar në fushën e stadiumit të Lushnjes “Roza Haxhiu” në praninë edhe të futbollistëve verdhejeshil. Krahas prezantimit të Agim Canajt në pozicionin e trajnerit të parë, Kryetarja e Bashkisë znj.Eriselda Sefa Futbollit Lushnje, prezantoi sot edhe Marjus Sulën në detyrën e Shefit të Klubi Lushnja. Në fjalën e saj të shkurtër, kryebashkiakja Sefa i uroj suksese trajnerit dhe shefit të klubit në detyrat e reja duke pasur besim ngritjen e ekipit të futbollit Lushnja në lartësinë që meriton, ashtu siç ka qënë edhe më përpara. Më pas, radha ka qënë për Canajn, i cili ka përveshur mëngët duke nisur punën intensive në krye të skuadrës lushnjare.