Edicioni i shtatë i Kupës së Shqipërisë për Kategoritë Superiore të moshave U-17 dhe U-19 do të ngrejë siparin këtë të premte, me katër ndeshjet e para që do të zhvillohen në Pezë. Dy sfidat e para do të luhen duke nisur nga ora 10:00, me ekipet e moshës U-17 që do të çelin këtë edicion të ri. Shorti i hedhur më 28 dhjetor në ambientet e Shtëpisë së Futbollit përcaktoi edhe çiftet e kësaj faze, ku ekipi i Vllaznisë do të luajë kundër SH. F. Pepës, në ndeshjen që do të përcaktojë edhe çerekfinalistin e parë të edicionit për këtë grupmoshë. Sakaq, nga ana tjetër, në po të njëjtën orë do të luhet sfida tjetër, ku skuadra e Briansit do të ketë përballë ekipin e Besës. Në rast se ndeshja do të përfundojë në barazim, nuk do të ketë kohë shtesë, por fituesi do të përcaktohet nga penalltitë.
Në ora 12:00 do të zhvillohen dy ndeshjet e para për moshën U-19, me skuadrën e Shkodrës që do të luajë kundër Besës, ndërsa nga ana tjetër shorti përcaktoi që ekipi i Shkodës të ketë përballë skuadrën e Bylisit. Nga këto dy sfida do të përcaktohen edhe dy çerekfinalistët e parë për këtë grupmoshë, me ndeshjet që do të jenë me një takim të vetëm dhe ashtu sikurse në sfidat e vlefshme për ekipet e U-17, edhe në përballjet e kësaj grupmoshe, në rast se ndeshja përfundon në barazim, nuk do të ketë kohë shtesë, por skuadrat do t’i drejtohen 11-metërshave.
Në këtë edicion do të marrin pjesë nga 16 ekipe për secilën grupmoshë, të renditura më mirë pas javës së 13-të, ku 8 skuadrat e grupit A të Kategorisë Superiore për moshën U-17 do të kenë përballë skuadrat e grupit B të kësaj grupmoshe, teksa në po të njëjtën mënyrë do të funksionojë edhe me nën 19 vjeçarët e Kategorisë Superiore.
Turi i parë U-17
07.01.2022 / Ora: 10:00 KF Vllaznia – Sh.F. Pepa
07.01.2022 / Ora: 10:00 Brians – FC Besa
Turi i parë U-19
07.01.2022 / Ora: 12:00 KF Shkodra – FC Besa
07.01.2022 / Ora: 12:00 KF Vllaznia – KF Bylis