Janë luajtur sot dy nga katër ndeshjet e javës së 9-të të Ligës Unike në basketboll meshkuj. Në një përballje interesante, Prizreni 16 mund Tirana Neptun me rezultatin 107-89.
Kanë qënë mysafirët nga Tirana që e filluan më mirë ndeshjen që krijuan epërsi deri në shtatë pikë, 10:17 duke e fituar periodën e parë 22:27. Edhe pse ëhstë përsëri Tirana që e nisë më mirë, Prizreni e fiton priodën e dytë 27-25, por pjesa e parë është e bardhebluve nga Tirana që e fitojnë atë me shifrat 49:52.
Perioda e tretë ishte shumë interesante. Mysafirët sërish arritën epërsi deri në nëntë pikë, 51:60, e më pas vendasit kundërpërgjigjen duke barazuar rezultatin dhe kaluan në epërsi deri në pesë pikë 74:69, sa ishte rezultati pas 30 minutash. Çereku i fundit ishte interesante deri katër minuta nga fundi, kur prizrenasit filluan shkëputjen dhe nuk u ndalën për të triumfuar me rezultat 107:89. Te Prizreni 16 u dallua Courtney Fells me 33 pikë, nëntë kërcime e pesë asistime, kurse te Tirana Neptun u dalluan Endrit Hysenagolli me 34 pikë e 18 kërcime dhe Julian Hamati me 23 pikë, 12 kërcime dhe tetë asistime.
Prizreni 16 ka gjashtë fitore dhe tri humbje, kurse Tirana Neptun ka katër fitore e pesë humbje. Po aq interesante sa ndeshja e luajtur në Prizren ishte edhe ajo që u luajt në Durrës, ku Teuta triumfoi ndaj Rahovecit me rezultatin 83-80.
Pas një fillimi të barabartë, vendasit shkëputen duke krijuar epërsi prej tetë pikësh 19:11, ndërsa çerekun e parë e fitojnë 23:17. Vreshtarët e fillojnë furishëm periudhën e dytë, duke shkrirë epërsinë dhe e kthyen atë në favor të tyre 30:31, e më pas zhvillohet lojë e barabartë, megjithatë durrësakët e përfunduan pjesën e parë në të mirë të tyre 45:40.
Dallimi i madh u bë në periodën e tretë, ku basketbollistët e Teutës ishin bindshëm më të mirë, për të thelluar epërsinë, ku më e larta ishte 14 pikë, 69:55, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. Në dhjetë minutat e fundit ndodhi e kundërta, ku kësaj radhe rahovecasit tentuan të bëjnë përmbysjen e madhe, megjithatë, arritën të zvogëlojnë shifrat në vetëm tri pikë, 83:80, sa përfundoi ndeshja. Te Teuta u dallua Tamas Bruce me 20 pikë e 15 kërcime, kurse te Rahoveci u dallua Milik Yarbrough me 35 pikë e tetë kërcime. Teuta ka pesë fitore dhe katër humbje, ndërsa Rahoveci ka tri fitore e gjashtë humbje.
Liga Unike e basketbollit për meshkuj vijon me dy takimet e ditës së enjte, Vllaznia-Kamza Basket dhe Peja- Golden Eagle Ylli, takime këto që startojnë në orën 19.00. Ndër to, me interes pritat sfida që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës në mes dy skuadrave të Supeërligës shqiptare, Vllaznisë dhe Kamza Basket, ku për vendasit do të ketë debutimin e tij në krye të kuqebluve trajneri nga Kosova, Fation Gjuka.