Një tapet i mbuluar i tëri me dëborë, ashtu si edhe i gjithë qyteti i Korçës, madje edhe me temperatura të ulta aq sa edhe tubacionet e ujit janë ngrirë. Por, zyrtarët e ndeshjes të deleguar nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë vendosur që ndeshja çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Teuta të zhvillohej.
Mes të tjerave, ka edhe një fakt interesant që nisur nga ngrirja e tubacioneve të ujit që furnizojnë dhomat e zhveshjes të stadiumit “Skënderbeu”, përpara ndeshjes është rënë dakord që dushin e pas ndeshjes futbollistët e të dyja skuadrave ta bënin në hotel.
E gjitha kjo, në pamje të parë të duket sikur favorizon korçarët vendas që të mësuar me këtë klimë do të shfaqeshin ashtu siç e kanë emrin, “ujqërit e dëborës” duke sfiduar një skuadër që vjen nga bregdeti durrsak.
Por, nuk ndodhi kështu, sepse skuadra e drejtuar nga Renato Arapi në këtë ridebutim të dytë në krye të Teutës ka triumfuar brenda në Korçë duke fituar me rezultatin 0-1.
Dhe është një shkodran si Rubin Hebaj që në një farë mënyre edhe ai si verior është mësuar me temperaturat e ulta dhe dëborën, ai që ia zbardh faqen Arapit dhe skuadrës së tij Teuta. Goli i shënuar nga Hebaj në të 6-1tën minutë kalon në avantazh durrsakët, avantazh ky që qëndron në fuqi deri në fundin e krejt takimit duke i dhënë fitoren Teutës me rezultatin 0-1.
Një fitore kjo në transfertë që i jep avantazhin e duhur skuadrës durrsake për të qënë më afër kalimit në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë, që gjithësesi do të jenë 90-të minutat e kthimit dy javë më pas ato që do të vendosin gjithçka për kualifikimin, sepse nga ana tjetër edhe korçarët do të kërkojnë të reagojnë për mundësinë e përmbysjes së rezultatit.