Thursday, March 28, 2024

(Intervista) Futboll Femra-Prag gjysëmfinalja e Kupës, Vllaznia-Partizani. Trajneri Leka, optimist për fitoren e trofeut

Lexo

Vllaznia në futboll për femra vazhdon përgatitjet për ndeshjen gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, të cilën do ta luajë të shtunën në stadiumin “Reshit Rusi” që pas 4 muaj rikonstruktim dhe shtrimin me tapetin e ri të barit është gati për të pritur këtë sfidë. Në pronocimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri i Vllaznisë flet për përgatitjet e skuadrës së tij për këtë sfidë të rëndësishme, ndërkohë që premton dhe garanton, jo vetëm kualifikimin në finale, por edhe fitoren e Kupës së Shqipërisë për të vijuar më pas edhe me trofeun e kampionatit.

Profesor po përgatiteni për këtë ndeshje të rëndësishme që ju hap rrugen drejt trofeut, por më përpara keni pasur një miqësore me Mitrovicën.

Po, ditën e shtunë është ndeshja gjysmëfinale me Partizanin dhe detyrimisht Vllaznia shkon vetëm për fitore sepse është një ndër objektivat e dyta madhore për aktivitetet brenda vendit. Dhe, duke shikuar rëndësinë e kësaj ndeshje dje kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me kampionen e Kosovës, me Mitrovicën në Durrës, aty ku skuadra kosovare është e grumbulluar për stervitjen dimërore. Ishte një ndeshje shumë e mirë, një ndeshje mes dy ekipeve kampione, një ndeshje që i vlejti të dy ekipeve.

Dy ndeshjet e fundit njëra me Murlanin dhe tjetra miqësore me Mitrovicën duket që e ka karikuar Vllazninë për ndeshjen me Partizanin?

Padiskutim që jemi karikuar sepse për këtë arsye kemi zhvilluar edhe ndeshjen miqësore me një kundërshtarë të vërtetë të denjë na vlejti shumë.

Si e shikoni Partizanin si rival në këtë gjysëmfinale?

Përderisa ka arritur në gjysmëfinale është një ekip që duhet t’i jepet rëndësia e duhur. Nuk e nënvlerësojmë, por as nuk e mbivlerësojmë, ne shohim vetëm punën e ekipit tonë. Për ne është një ndeshje që duhet fituar.

Është skuadra gati dhe e plotë?

Përpos dy dëmtiveme të qendërmbrojtësëve që i kemi me kohë, vajzat e tjera janë të gjitha të gatshme. Edhe në ndeshjen e djeshme ku provuam disa lojtare të reja, vërtetuam që ekipi është i gatshëm për ndeshjen e të shtunës.

Jeni shprehur që Vllaznia synon Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin, i qëndroni këtij premtimi?

Padiskutim që i qendroj sepse ne e kemi thënë gjithmonë që Vllaznia është e formatuar për vite që të fitojë çdo trofe që është brenda vendit.

Së fundi diçka për ndeshjen që do të luhet në “Reshit Rusi” që pas rreth katër muajsh, stadiumi i dytë i Shkodrës hap dyert dhe do të jeni pikërisht ju që do ta hapni me ndeshjen Vllaznia-Partizani.

Po, është një mundësi më e mirë për ne që të shprehim vlerat e skuadrës. Fusha është në parametrat e duhura dhe është në gjendje shumë të mirë. Sa më e mirë të jetë fusha, aq më mirë shprehen vajzat në fushë dhe rritet performanca e të dyja ekipeve. Për ne është një investim shumë i mirë i realizuar nga Federata dhe Bashkia Shkodër dhe i falenderojmë të dyja për këtë investim dhe shpresojmë që të bëjnë edhe investime të tjera sepse sa më shumë fusha të jenë në Shkodër, aq më shumë zhvillohet futbolli.

Faleminderit profesor dhe suksese!

Faleminderit ju!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img