Përballja, Dinamo-Partizani, takim ky i zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin kombëtar “Air Albania” ishte dueli i fundit për sfidat e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Ndonëse nuk pati ndjekës të shumtë në tribunat e stadiumit, në fushën e lojës lufta sportive dhe emocionet përgjatë 90-të minutave ishin të pranishme san ë njërën portë tek tjetra.
Partizani është i pari që kalon në avantazh në minutën e 24-t me anë të Tedi Cara i cili duke ndjekur një aksion të të kuqve prej së afërmi e dërgon topin në rrjetën e 17 vjeçarit dinamovit Simon Simoni. Duke sikur Partizani do ta komandojë dhe fitojë ndeshjen, por një aksion i bluve dinamovitë në të 43-tën, pengesen e Bardhit nga Bitri arbitri Bajramaj e vlerëson me penallti. Saktësia e Ibraimit në interpretim barazpeshëon shifrat në 1 me 1, rezultat ky që mbyll pjesën e parë.
Partizani nuk pajtohet me barazimin dhe në 45 minutat e dyta është më kërkues për të gjetur golin e avantazhit ku në dy raste edhe mund të shënonte me anë të Malës dhe Kotes, por nuk ia arrin qëllimit.
Edhe Dinamo bën përpjekjet e veta për të ndëshkuar me një gol të dytë kundërshtarin, por në një farë mënyre, nisur nga zhvillimet në fushën e lojës duket më e kënaqur me barazimin.
Barazimi lë të hapur kualifikimin për të dyja skuadrat, ku sfida e pas dy javëve pritet të jetë edhe më e fortë dhe më emocionuese, pasi të dy skuadat futen si të barabarta në fushën e lojës dhe në fund njëra prej tyre, ajo që fiton ndehsjen shkon në gjysëmfinale.