Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, që futbollisti kuqezi Armando Broja është shndërruar në një personazh kryesor të merkatos dimërore. Paraqitjet fantastike me Sauthempton ka bërë që djaloshi që vetë është lindur në Angli, por prindërit e tij emigrantë në Britaninë e Madhe janë lindur dhe rritur në Kamicë të Malësisë së Madhe, kanë bërë që ai të jetë në fokus të disa skuadrave që kërkojnë ta bëjnë të tyrin.
Së fundmi, në skenë ka dalë edhe klubi i njohur Njukasëll. Edhe pse klubi është nën administrimin e sheikëve nga Arabia Saudite, lëvizjet në merkato nuk kanë qenë ato që shpresohej dhe ekipi ka ende vështirësi në garën për mbijetesë në Premier Ligë. Kështu, tifozët e shumtë dhe portalet që ndjekin ekipin, kanë këshilluar që klubi të bëjë një blerje të bujshme në ditët e fundit të merkatos, sidomos në sulm. Dhe sytë janë drejtuar te Broja.
Në një analizë të “Footballfancast”, shpjegohet se pse Broja është emri i duhur për Njukasëllin jo vetëm sepse bëhet fjalë për një lojtar të ri me perspektivë, por edhe se raporti i tij me golin, ishte më i mirë se sulmuesve aktualë të Njukasëll, apo edhe blerjes së re, Kris Ud. Rezulton se ky i fundit shënon një gol në çdo 6,3 ndeshje si titullar, kurse Broja ka një raport më të mirë me golin, pasi ka shënuar me Sauthempton një gol në çdo dy ndeshje që ka nisur nga fillimi në këtë sezon. “Ata mund të sjellin një lojtar që është në gjendje të vendosë ndeshjet me golat e tij dhe të përmirësojë paraqitjet e ekipit me aftësinë që ka në lojën ekipore. Kjo është arsyeja pse firma me sulmuesin shqiptar mund të shpëtojë sezonin e Njukasëll. Ndaj fondi PIF duhet të hedhë paratë që të mbyllë marrëveshjen”, përfundon artikulli që i kushtohej sulmuesit shqiptar.