Pasi janë mbyllur në mesjavë çerekfinalet, është hedhur edhe shorti për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Spanjës, që njihet edhe Kupa e Mbretit. Siç dihet, kjo veprimtari është një nga ekskluzivitetet madhore sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që po sjell takimet më të spikatura. Ky ka qenë në fakt një prej edicioneve më interesante në Kupën e Spanjës, pasi asnjëra nga skuadrat me traditë në këtë veprimtari, që ishin edhe favorite për ta fituar atë, nuk kanë arritur të sigurojnë vendin midis 4 më të mirave.
Atletik Bilbao kaloi në gjysmëfinale pasi eliminoi Real Madridin, ndërsa Real Betisi eliminoi Real Sociedadin. Valencia ia doli të mposhtë Kadizin, kurse Rajo Vajekano e vijoi sezonin e shkëlqyer, duke e eliminuar Majorkën. Skuadra modeste e kryeqytetit spanjoll arriti në gjysmëfinale të Kupës për herën e parë në këto 40 vitet e fundit. Dhe shorti ka vendosur që Rajo Vajekano të përballet me Real Betisin, ndërsa Atletik Bilbao do të ballafaqohet me Valencian.
Ndryshe nga formula e deritanishme e këtij sezoni, ku gjithçka është përcaktuar nga një përballje e vetme, gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit do të luhen me sistem vajtje-ardhje. Takimet e para pritet të luhen më 9 dhe 10 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 2 dhe 3 mars 2022.