Saturday, November 23, 2024

Partizani sfidon kampionët e Teutës. Fitore morali për djemtë e teknikut Mehmeti

Lexo

Partizani rikthehet tek fitorja. Të kuqtë e drejtuar nga Dritan Mehmeti sfidojnë kampionët në fuqi të Teutës, teksa i mundin thellësisht 4 me 0. Një fitore me vlerë për renditjen, por më së shumtmi, fitore që vlen më shumë në aspektin moral për një rikthim të Partizanit në ditët e tij më të mira.

Një ndeshje e nisur praktikisht me gol nuk mund të çohej dëm, edhe nëse periudha në të cilën udhëton Partizani nuk është ajo më e mira. Pas tre ndeshjeve pa fitore mes kampionatit e Kupës ishte i nevojshëm një gol në minutën e dytë nga Skuka për të rindezur optimizmin dhe për të larguar mjegullën e pasigurisë që qendronte mbi të gjithë kryeqytetasit.

Ndoshta për ardhjen e  Mirosavljev, por Skuka kundër kampionëve në fuqi bëri ndeshjen e tij më të mirë që kur është veshur i kuq. Goli përballë Qirkos vetëm sa thjeshtoi ekuacionin që Mehmeti duhet të zgjidhte, por sulmuesi ishte boshti i ofensivës e prej tij kaluan topat e aksioneve më të rrezikshme të Kallakut në minutën e 8-të, apo kur provoi po vetë tre minuta më pas, këtë herë duke humbur duelin me portierin, por duke provuar se është aty në çdo situatë.

Teuta e Arapit u zhyt pa e menduar në plogështinë e mos besimit, një gol pas 120 sekondash do të trondiste edhe zemrën më të guximshme. E në fakt, durrsakët nuk u panë praktikisht fare nga anët e Hoxhës, duke lënë portierin e tyre të merret me një kundërshtar që u shfaq me frekuencë të lartë, duke testuar situatën në të 27-ën e duke fundosur goditjen një minutë më pas me Carën, falë një ftese të parefuzueshme të Skukës.

2-0 pas më pak se 30 minuta lojë, por ajo që thjeshtoi edhe më shumë mendimet e shlodhi këmbët e lojtarëve të Mehmetit ishte një rival që nuk diti të kundërshtojë, duke qendruar në mëshirën e të kuqve, që provuan të vendosnin ndeshjen në kasafortë po me Skukën, e që atë që nuk e bënë në pjesën e parë e garantuan pas pushimit. Sulmuesi humbi një tjetër duel me Qirkon në asistin e Malës, por shpresat e Teutës morën fund në të 54’ kur Daja u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda pak sekondave nga Xhaja, në fillim për një faull e pastaj për protesta.

Mundësia më e mirë për të freskuar skuadrën dhe për ti dhënë edhe debutimin Mirosavljev. E goli i tretë nuk vonoi, me devijimin e Sotës në minutën e 60-të, që praktikisht e ktheu ndeshjen në goleadë.

Teuta nuk mund të bënte më asgjë, pavarësisht dëshirën së mirë të ndonjë ish-i si Kotobelli, ndërsa Partizani shpenzoi akoma para portës, me Junior, përpara se braziliani të korigjonte shënjestrën në minutën e dytë shtesë, pavarësisht se nëse shënoi emrin në listën e shënuesve duhet të falenderojë VAR që ndryshoi vendimin e asistentit për pozicion jashtë loje.

Poker për tre pikë për Partizanin, që mban mesin e renditjes me 25 pikë, me shpresën se kursi do të ndryshojë e mund të ndjekë Europën edhe nga kampionati.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img