Dy ekipet Kombëtare, ai U-17 dhe ai U-18 janë grumbulluar sot në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz për seleksionimin e radhës me lojtarë të vitlindjes 2005 dhe 2006. Nën drejtimin e trajnerëve Ervin Bulku dhe Ardi Behari lojtarët e ftuar në këtë seleksionim kanë zhvilluar fillimisht një seancë të lehtë stërvitore dhe pastaj janë ndarë në dy grupe për një miqësore.
Një ndeshje mjaft e vlefshme për dy teknikët që kanë pasur mundësi të shohin lojtarët që janë në planet e ekipeve Kombëtare në vazhdimësi e për të monitoruar progresin e secilit prej tyre. Ndeshja përfundoi me fitoren 2-0 të ekipit Kombëtar U-17, por duhet theksuar se dyja skuadrat kanë treguar shpirt gare dhe konkurrencë të lartë.
Në këtë test, Bulku dhe Behari kanë aktivizuar të gjithë lojtarët që kishin ftuar në këtë seleksionim, teksa kanë mbetur të kënaqur nga impenjimi dhe aftësitë e shfaqur nga të gjithë djemtë kuqezi.
Për Kombëtaren U-17 ky ishte seleksionimi i katërt për këtë vit, ndërsa stafi teknik vazhdon punën për konsolidimin e grupit dhe monitorimin e elementëve të talentuar. Edhe këtë radhë lojtarët e ftuar vinin nga ekipe të kampionatit shqiptar, por një pjesë të lojtarëve të evidentuar luajnë jashtë vendit.
Pavarësisht largësisë Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF përmes skautëve jashtë vendit vazhdon të monitorojë progresin e këtyre futbollistëve dhe mban të informuar stafet teknike të ekipeve Kombëtare të moshave.
Të gjitha ekipet Kombëtare të moshave do të vazhdojnë programin me seleksionime, miqësore e grumbullime për t’u përgatitur për kompeticionet zyrtare të UEFA-s.