Superliga e futbollit për femra ka luajtur ndeshjet e javës së 14-të. Një javë që duke pasur një pjesëmarrje me 11-të skuadra, kalendari e përcaktonte Vllazninë pushim për këtë javë. Përpos pushimit të Vllaznisë kampione dhe kryesuese të kampionatit, edhe nënkampionia Apolonia nuk ka arritur të luajë këtë javë. Fieraket ishin mysafire në Barbullush të Shkodrës për të luajtur kundër Murlanit vendas që konsiderohej edhe ndeshja kryesore e kësaj jave, por për arsye të kushteve të rënduara atmosferike kjo ndeshje është shtyrë. Në të tilla kushte, Vllaznia vazhdon të kryesojë me meritë Superligën e futbollit të femrave.
Në ndeshjet e tjera, Tirana ka bërë detyrën këtë javë, duke mposhtur me shifrat 6-1 ekipin e Teutës. Ishte Kodra ajo që hapi ndeshjen për vajzat bardheblu, ndërsa pas pak minutash u përgjigjën me gol edhe durrsaket me Dishën. Më pas kryeqytetaset shënuan edhe edhe pesë gola të tjerë, duke siguruar kështu fitoren e radhës për Tiranën.
Nga ana tjetër, edhe Partizani ka fituar me rezultatin e thellë 7-0 ndaj Lushnjes, një ndeshje që ishte totalisht e dominuar nga të kuqet, që realizuan gjashtë gola vetëm në pjesën e parë, ndërsa vulosi shifrat Denada Loci. Një tre pikësh mjaft me vlerë ky për kryeqytetaset që renditen në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit.
Kinostudio e Atletik Club gjithashtu siguruan nga nga një fitore në transfertë në ndeshjet respektive, duke mundur çuditërisht me të njëjtin rezultat kundërshtarët respektivë. Kinostudio mundi në Kamëz ekipin e Skënderbeut me shifrat 2-5. Pjesa e parë u mbyll në favor të Kinostudios me rezultatin 1-2, teksa me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, korçaret barazuan shifrat. Më tej, kryeqytetaset realizoi edhe tre gola të tjerë, duke siguruar një tre pikësh në këtë ndeshje.
Në ndeshjen Tirana AS – Atletik Club, që përfundoi po me shifrat 2-5, kryeqytetaset kaluan fillimisht në avantazh me Memën, teksa Armoku pas pesë minutash barazoi shifrat. Në pjesën e dytë të lojës, Kurbasha realizoi golin e dytë për shkodranet, ndërsa Armoku trefishoi shifrat. Në minutën e 72-të, Tota ngushtoi shifrat, por kjo zgjati shumë pak, pasi Armoku realizoi edhe dy gola të tjerë për Atletik Club, duke qenë protagonistja e ndeshjes.
Ndeshjet dhe rezultatet e javës së 14-të:
Tirana 6-1 KF Teuta
Partizani 7-0 Lushnja
KF Skënderbeu 2-5 Kinostudio
Tirana AS 2-5 Atletik Club
KF Murlani – Apolonia, e shtyrë