Në barazim 1 me 1 është mbyllur ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Kamzës në mes Kastriotit pritës dhe Laçit mysafir. Një pikë që quhet sukses për krutanët e Emiljano Çelës, të cilët kanë mbërritur në kuotën e 22 pikëve, kurse për Laçin shihet si dështim, edhe për shkak të rasteve të shumta të humbura për shënim. Krutanët vuajnë dhe mungesat e Didës dhe të Grecës, por megjithatë ia dalin të përmbysin dhe të qëndrojnë fort në fushën e tyre. Laçi paralajmëron golin në të 21’, ndërsa Guindo është frenuar nga pritja e Salit, pavarësisht se krijoi iluzionin e dërgimit të topit në rrjetë.
Një minutë më vonë, pikërisht Guindo ndëshkon Kastriotin duke i dhënë qetësi skuadrës së Mirel Josës. Madje i njëjti futbollisti, që duket sikur vallëzon në mbrojtjen e çalë krutane, shënon dhe në të 33’, por goli i anullohet për pozicion jashtë loje konfirmuar dhe nga sistemi VAR. Laçi është këmbëngulës dhe në pjesën e dytë, teksa kërkon gjithnjë të dalë i fituar nga Kamza. Në të 54’ sërish kurbinasit janë pranë golit të dytë. Goditje dënimi për kurbinasit në të majtë të sulmit. Pas harkimit të topit, Velkosvki mbi kokë mbi traun e portës krutane. E ashtu me qetësi e me shumë urtësi, Kastrioti e gjen momentin se kur duhet barazuar.
Minuta e 58-të është minuta e Kaina Nunesh, që pas marrjes perfekte të topit dhe goditjes së befasishme e ka dërguar sferën pas shpinës së portierit Dajsinani. Kurbinasit kanë pretenduar për marrje me krahë të topit, por VAR nuk i ka dhënë të drejtë pretendimeve të tyre dhe goli i Kaina Nunesh është i rregullt.
Mazrekaj është i pafat në të 71’, ndërsa në një goditje dënimi, nga rreth 20 metra, ndalet nga trau i portës krutane. Tre minuta shtesë që nuk prodhojnë asgjë përveç një përpjekje të dëshpëruar të Ujkës për të shënuar nga distanca e largët. Përfundimisht 1-1 dhe një barazim si “kapak floriri” për Kastriotin, gjithnjë në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore.