Friday, April 26, 2024

Kuqeblutë nuk kanë më ambicje për titullin! Luajnë dobët dhe kënaqen me vetem një pikë ndaj Kukësit

Lexo

Kukësi-Vllaznia 0-0

E hënë 7 mars 2022, ora 16:45, Stadiumi “Elbasan Arena”-Elbasan

Kukësi: Tafas, Gligorov, Lulaj(Bytyqi 36’), Pëllumbi, Ndreca, Gj. Taipi, De Lucas, Milunoviç, Fejiao, Puntus, Basa. Trajner: Diego Longo

Vllaznia: Zogoviç, Diagne, Bulatoviç, Hakaj, Fangaj, Krymi, Heriç(Mustedanagiç 69’), Kruja(Çoba 88’), Latifi, Djurdjeviç( Paloka 69’), Aralica. Trajner: Tomas Brdariç

Gjyqtar: Kridens Meta

Kukësi dhe Vllaznia kishin një shans të mirë që ia dha kalendari i Javës së 24-të, pasi ndeshja e tyre vinte pasi më herët kishin patur mundësinë të ndiqnin ndeshjet e dy rivalë që kanë më sipër në renditje.

Barazimi i Tiranës me Partizanin si dhe ai i Laçit me Kastriotin, duhej të shërbenin si një nxitje morale për të dy kampet respektive që të kërkonin fitoren tre pikëshe. Por, që të dyja skuadrat, Vllaznia dhe po ashtu edhe Kukësi nuk bënë asnjë përpjekje për ta shfrytëzuar këtë shans që iu krijua.

Loja e tyre e dobët, sidomos ajo e pjesës së parë, e cila ishte nën mesataren e mundshme. Monotoni në të gjitha repartet e fushës, pa emocion në asnjë element të lojës deri në atë masë sa minutat e kësaj pjese bëhen të mërzitshme. Sikur të mos mjaftonte kjo, situatën e zymtë ia shton kësaj pjese edhe defekti në impianin elektrik të “Elbasan Arena” duke bërë që ndeshja të ndalej për pak minuta.

Pak më ndryshe figuron pjesa e dytë, kur në radhët e të dyja skuadrave duket se ka më tepër impenjim për të gjetur golin e avantazhit. Për kuqeblutë, duket se janë aktivizimet e Mustedanagiç dhe Palokës ato që i dhanë më tepër freski dhe forcë skuadrës. Sidomos me boshnjakun që arrin të rrezikojë në dy momente, ndërkohë që edhe kroati Aralica me një kthese të bukur brenda zonës e vë në vështirësi portjerin Tafas. Po kështu edhe kuksianët kanë dy momente të bukura ku gjuatjet e Ndrecës dhe të Taipit shkojnë ngjitur me pingulen e majtë të portës së Zogoviç.

Përfundimisht, 0-0, në një barazim që çuditërisht gëzon kuqeblutë. Themi kështu, se më këtë lojë apatike dhe pa motivimin e duhur për të siguruar trepikëshin që mund t’i ofronte më shumë pranë Laçit të vendit të dytë dhe Tiranës kryesuese.

Përpos të tjerave, një fitore e Vllaznisë mbrëmjen e sotme ndaj Kukësit do të ishte një  motiv më shumë për të karikuar tifozërinë shkodrane për ndeshjen e ardhshme që do të luhet në “Loro Boriçi” ndaj kryesueses Tirana. Por, me atë që shfaqi Vllaznia në këtë ndeshje, dhe aq më tepër të kënaqurit me një pikë, tregon qartazi se kuqeblutë nuk kanë më ambicje për titullin duke u dorëzuar përpara kohe në luftën për fitimin e trofeut.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img