Sunday, November 24, 2024

Derbi i kryeqytetit. Tirana e pandalshme, Dinamo zhytet në krizë, rrezikon seriozisht Superioren

Lexo

Pas fitores në “Loro Boriçi” me Vllazninë”, Tirana ka vijuar serinë e fitoreve edhe këtë javë, kur sot, duke mundur Dinamon me rezultatin 1 me 0 vazhdon të jetë e pandalshme në rrugën drejt titullit kampion.

Në derbin e sotëm të kryeqytetit ka vendosur goli i Devid, por kemi edhe shpërdorimin e penalltisë nga Ibraimi, si dhe debutimin me humbje të italianit Vanoli në krye të pankinës dinamovite.

Dinamo e luajti ndeshjen, hapur, në kërkim të një suksesi që do ishte moral dhe për renditjen, por shtylla u bë një pengesë serioze në ndalimin e diagonales së Ibraimit në minutën e 13-të. Blutë provuan të shtyhen përpara dhe u duk se ishin në gjendje ta bënin, pavarësisht se Bardhi në të 14’ nuk pati shënjestrën e duhur. Në anën tjetër, njeriu për të përmbajtur ishte Seferi dhe duhej ndërhyrja më e mirë e Simonit për të ruajtur ekuilibrin e rezultatit.

Kundërsulmet strategjike të bardhebluve megjithatë nuk topitën presionin në rritje të dinamovitëve që humben dy mundësi entuziaste në të 17’ me Haxhiun dhe në të 22’ me Lilaj. E pafalshme për një lojtar ekspert si mesfushori, i ndalur nga Bekaj vetëm për vetëm. Tirana nuk është se nuk vuajti, por gjërat mund të ishin komplikuar keq një minutë më vonë kur Samake arriti të shënojë, në zhvillimet e një goditje këndi, me VAR që zbuloi një prekje me dorë prej tij gjatë aksionit, që e bëri golin të pavlefshëm.

Pjesa e dytë nuk ndryshoi skenarin e lojës, me Dinamon që kërkonte të vendoste diktatin e skuadrën e Shehit që priste momentin. Në minutën e 49’ Haxhiu nuk gjeti kuadratin, ndërsa në të 64’ Lilaj e dërgoi topin mbi traverse, duke i dhënë topit më tepër fuqi se sa duhej. Në këtë moment goditi Tirana, duke vendosur ndeshjen, që në këtë rast më tepër iu dhurua nga pasiviteti difensiv që nuk arriti të ndihmojë një Simoni që ndali Totren, por nuk mund të bënte asgjë në devijimin nga afër të Devid, që i mori kohën Sofranac.

Mundësia e vetme për të mos dalë e humbur nga derbi iu dha Dinamos pesë minuta nga fundi, kur Zhivanaj preku topin me dorë, gjë që nuk i shpëtoi VAR që sinjalizoi arbitrin Xhaja, por Ibraimi gabon, pasi gjuajtjen e tij e pret plot siguri Bekajn duke i dhënë fitoren bardhebluve.

Tre të tjera këto për kryesuesit e tabelës së klasifikimit duke bërë që titulli të jetë edhe më pranë. Ndërkohë, për dinamovitët, kjo humbje e rëndon edhe më tepër  situatën në kampin blu, pasi fitoret e rrogozhinasve dhe krutanëve ndaj Vllaznisë dhe Partizanit e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë luftën për mbijetese në Superiore.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img