Trajneri i Laçit, Mirel Josa foli në emsionin Gol Pas Goli në Supersport, teksa komentoi triumfin 1-2 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës. Tekniku i kurbinasve theksoi se ndaj durrsakëve shanset për të kaluar në finale janë 50-50 pavarësisht suksesit, ndërsa Josa i bën thirrje lojtarëve të kujtojnë se Djemtë e Detit i mposhtën në shtëpi për llogari të kampionatit.
Prish planet goli i Teutës në fund? “Do ishte më mirë të mos e pësonim dhe të kundërsulmonim për golin e tretë. Ai gol i jep shpresë Teutës, kualifikimin e shoh 50-50 se më parë kemi humbur në Laç kundër Teutës. Duhet të jemi me këmbë në tokë si në Kupë ashtu edhe në kampionat”.
Dëmtimi i Harmon dhe mungesa e Guindo? “Jo vetëm këta të dy, të gjithë lojtarët më shqetësojnë. Nesër do shohim çfarë ka Harmon, më shqetëson edhe gjendja psikologjike se ajo ndikon te “oreksi” i ekipit”.
Fitore pas pesë ndeshjesh ku nuk fitonit, mund të nisë kthesa e rezultateve? “Futbolli nuk shikohet shumë te loja e bukur, por tek një ndeshje që duhet shfrytëzuar në maksimum. Jemi në fund të sezonit dhe më intereson që skuadra të gabojë sa më pak, në ndeshjet e kaluara nuk kemi pasur as lojën. Kjo ndeshje mund të na japë një besim në vete, por nuk duhet të mendojmë se fituam sot dhe mbaroi gjithçka pasi ka ndeshje kthimi. Të mos harrojmë çfarë na bëri Teuta në Laç. Kjo ndeshje mbaroi, por duhet të shohim atë që duhet të rikuperojmë. Kemi pasur probleme, duhet të ishim më të sertë”.
Sa ndihmon fitorja? “Ndihmon skuadrën, por edhe mua. Kështu shtohet “oreksi”, sot bëmë më shumë ndihmës që lojtarët i dhanë njëri-tjetrit në fushë. Të gjithë kundërshtarët duhen respektuar dhe po luanim ndaj kampionëve”, u shpreh Josa.