Akademia e Arbitrimit ka ulur sot siparin e edicionit të tretë! 42 arbitra meshkuj e femra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë përfunduar me sukses këtë kurs të arbitrimit, duke u pajisur me çertifikatën e Arbitrimit, që tashmë i jep mundësinë të bëhen pjesë e fushës së gjelbërt dhe të vendosin drejtësinë në fushën e lojës.
Ky kurs që nisi në muajin tetor dhe zgjati për gati gjashtë muaj u zhvillua nën drejtimin e Sektorit të Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të marrin leksione nga arbitra me emër në fushën shqiptare, por edhe nga arbitrat aktivë që gjykojnë sot ndeshje në kampionatin “Abissnet Superiore”.
Të rinjtë që u bënë pjesë e kësaj Akademie kanë qenë të moshës 14-22 vjeç dhe kanë pasur mundësi që të zbresin në fushë dhe të praktikojnë profesionin e tyre, duke drejtuar ndeshje të kampionatit të moshave në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë.
Në ceremoninë e organizuar ditën e sotme në ambientet e Shtëpisë së Futbollit morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci si dhe lektorët e kësaj Akademie.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z.Kastrati i uroi shumë suksese të rinjve, teksa i këshilloi të vazhdojnë të punojnë për t’u bërë profesionistë të vërtetë. “Në këto vitet e fundit të pandemisë kemi mësuar të gjithë që shëndeti është i rëndësishëm. Por që të kemi shëndet duhet të merremi me sport, sepse sporti është gjithçka. Dhe mendoj se ju keni zgjedhur rrugën e drejtë. Sot mbaruat kursin e Akademisë së Tretë, keni marre bazat themelore për rrugën tuaj drejt arbitrimit. Kjo nuk mjafton, duhet që këtë rrugë që keni nisur ta vazhdoni me vullnet, dëshirë, perkushtim dhe asnjëherë mos u dorëzoni. Arbitrimi është një rrugë sa e bukur, aq edhe e vështirë. Duhet të vazhdoni të përgatiteni teorikisht, pavarësisht se i keni marre bazat. Duhet të jeni të përditësuar e koherentë në lidhje me arbitrimin. Stërvituni fort çdo ditë, për shëndetin tuaj, dhe për profesionin tuaj. Ju uroj suksese dhe mirëseardhje në Shoqatën tonë!” – tha Presidenti i BASHF në fjalën e tij.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku i uroi suksese arbitrave të rinj, ndërsa vlerësoi faktin që pjesë e kësaj fushe tashmë janë edhe femrat. “Jam shumë i kënaqur që në këtë sallë shikoj shume vajza dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe mjaft pozitive, çka tregon se tashmë femrat janë jo vetëm pjesë e futbollit si lojtare, por edhe si arbitre. Ju jeni relativisht të rinj, por dukeni mjaft të përgatitur fizikisht. Ju uroj të gjithëve suksese dhe ta keni pasion sepse nga ky profesion do të keni veç të mira. Të mira fizike, të mira materiale e çdo të mirë tjetër! Suksese!” – tha Shulku.
Në fund, edhe shefi i Sektorit të Arbitrave inkurajoi të gjithë arbitrat e rinj të punojnë fort dhe me pasion, teksa falenderoi të gjithë ata që bënë të mundur këtë Akademi. “Duhet të jeni të durueshëm, sepse jeni të rinj! Punoni me shumë dëshirë, punoni me pasion, merrni sa më shumë dije për këtë profesion dhe pjesa tjetër do të vijë vetë. Ju tashmë jeni pjesë e Kolegjiumeve të kategorive të moshave të vogla, sepse keni mbaruar pjesën e parë të prezantimit. Në një periudhë shumë të shkurtër, mendojmë që të jeni pjesë edhe e moshave U-17 dhe U-19. Duhet të jeni shumë të fokusuar në këtë fushë. Edukohuni nga Akademia dhe vazhdoni të qëndroni të përditësuar. Falënderoj edhe lektorët e kësaj Akademie dhe arbitrat aktivë të cilët ju kanë mësuar dhe që sot jeni këtu! Shumë suksese të gjithëve” – tha Jareci.