Rikthehet sërish kampionati i femrave pas një shkëputje thuajse 10 ditore për shkak të angazhimit me ekipet kombëtare U-19 dhe Kombëtaren A. Këtë fundjavë do të luhet java e 18-të, teksa katër javë kanë mbetur nga përfundimi i këtij edicioni të mbushur me garë dhe emocione.
3 sfida do të zhvillohen të shtunën ndërsa ndeshja e fundit e javës mes Vllaznisë dhe Lushnjes do të luhet ditën e diel. Sakaq, Atletik Club – Kinostudio do të zhvillohet në një ditë tjetër që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.
Sfida hapëse e kësaj jave do të jetë ajo mes Tirana AS – Teuta, me kryeqytetaset që do të presin në shtëpi bregdetaret. Tirana AS mori një tre pikësh të vyer në ndeshjen e saj të fundit në kampionat ndaj Lushnjes, ndërsa Teuta e mbylli me një humbje kundër Murlanit. Të dyja skuadrat do të kërkojnë fitore në këtë ndeshje të vështirë që do të zhvillohet në Kamëz në ora 10:00.
Sakaq, ekipi bardheblu i kryeqytetit, Tirana do të udhëtojë drejt Shkodrës ku do të përballet me Murlanin. Vajzat e Tiranës kanë zhvilluar një edicion mjaft të mirë, ku numërojnë vetëm një humbje, një barazim dhe ndeshjet e tjera i kanë fituar. Përballë Murlanit do të jetë një ndeshje jo shumë e lehtë, teksa do të përcaktohet nesër fituesja e kësaj sfide, që do të luhet në Shkodër në ora 11:30.
Një tjetër sfidë interesante do të luhet në juglindje të vendit, ku Skënderbeu do të presë në shtëpi skuadrën e Partizanit. Kryeqytetaset duken më favorite në këtë ndeshje që do të nisë në ora 14:00 në Korçë.
Sfida e fundit e javës do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Lushnjes, një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit, për të cilat kanë rëndësi vetëm 3 pikët. Sfida do të zhvillohet të dielën në Shkodër, në ora 14:00.
E shtunë; Tirana AS – Teuta, ora 10:00
E shtunë; Murlani – Tirana, ora 11:30
E shtunë; Skënderbeu – Partizani, ora 14:00
E diel; Vllaznia – Lushnja, ora 14:00