Kupa e Mbretit në Spanjë është fillimi i fundit të një sezoni të gjatë e të lodhshëm që do të kulmojë me betejën për titullin. Të shtunën në orën 22:00 dhe në transmetimin ekskluziv të RTSH që ka sjellë ekskluzivisht për shqiptarët të gjithë sezonin aktual në ekranin publik, do të luhet finalja Real Betis-Valencia në stadiumin “La Cartuja” të Andaluzisë. Bardhjeshilët e Manuel Pellegrinit që momentalisht mbajne vendin e pestë në kampionat, numërojnë 3 kupa, e fundit e fituar në vitin 2005 ndërsa këtë sezon kanë ende edhe pak shpresa për të siguruar një vend në zonën Champions.
Real Betis numëron 3 fitore në 5 ndeshjet e fundit me Valencian që nuk arrin t’i kalojë bardhjeshilët që prej dy vitesh edhe pse në 22 takime ka arritur të siguirojë 10 fitore. Mbretërorët nga andaluzia kanë pasur përpara një rrugë më të lehtë pasi eleminuan Sevillan e më pas Rayo Vallecanon, ndërsa në krahun tjetër, valencianët u ndeshën në gjysmëfinale me një kundërshtar aspak komod si Athletic Bilbao që kishte shtypur më parë Realin e Madridit dhe Barcelonën.
Përballë tyre, skuadra e José Bordalás që po zhvillon një sezon mediokër, ka mundësinë e artë për ta shpëtuar atë me Kupën që e ka në trofeun e saj në 8 kopje identike. Valencia po kalon një moment delikat në La Liga ku mban mesin e artë të klasifikimit por gjatë këtij sezoni mbrojtja ka bërë paraqitje të shëmtuara duke e nxjerrë topin plot 48 herë nga rrjeta. Një ndeshje e ekuilibruar në letër që premton luftë dhe spektakël, Kupa është në lojë, Real Betis dhe Valencia kërkojnë lavdinë.