Superliga shqiptare e futbollit do zhvillojë sot dy ndeshjet e para për javën e 30-të. Në fushë do zbresin katër skuadra, teksa në lojë është Evropa. Gjithçka nis në 16:45 në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Vllaznia pret Partizanin, me skuadrat që janë në garë direkte për një vend evropian. Të kuqtë kërkojnë të marrin hak pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë 10 ditë më parë, ndërsa shkodranët për fitoren e parë në epokën Plori.
Në Kukës, në 20:00 do luhet ndeshja mes Kukësit dhe Laçit. Sot do inaugurohet edhe stadiumi i ri “Kukës Arena”, me vendasit që pas afro katër vitesh shtegëtim rikthehen në shtëpi.
Nëse verilindorët fitojnë sot me Laçin dhe Tirana fiton nesër me Kastriotin, atëherë bardheblutë e Shehit edhe matamatikisht do ishin kampionët e rinj të Shqipërisë, për herë të 26-të në histori.