Tuesday, April 30, 2024

Superliga U-21/ Bylis i shkodranëve mund Vllazninë 4-0 dhe marshon drejt titullit kampion

Lexo

Është thënë prej kohësh që Bylisi është shndërruar në një strehë për futbollistët shkodranë. Një politikë kjo e shfaqur haptazi nga ana e presidentit ballshiot, Besnik Kapllani për të grumbulluar lojtarët e ri të talentuar dhe me perspective.

Politike kjo, e cila ka të bëjë drejtpërdrejtë me menaxhimin e klubit, me objektiv shitjen më pas e kontigjentit cilësor në skuadrat e tjera, brenda dhe sidomos jashtë vendit dhe sigurimin e të ardhurave financiare për arkën e klubit.

Pjesë e kësaj politike, më herët ishin edhe futbollistët shkodranë, Eridon Qardaku, Marçelino Preka, Aleksander Trumçi dhe Robert Shkreli që duke mos gjetur hapësira në këmpin kuqeblu, pranuan të veshin uniformën e Bylisit. Ndërkohë, që së fundmi, në periudhën e ndërrimit të viteve, ishte një shkodran tjetër si Joald Ivziku, sulmuesi potent dhe golashënuesi më i mirë i Vllaznisë U-21, i cili u largua nga kuqeblutë duke iu bashkuar edhe ai ballshiotëve.

Dhe ky Bylis, me këtë kontigjent shkodran, shfaqet i papërmbajtshëm në Kampionatin Kombëtar të Superligës U-21 duke kryesuar me meritë tabelën e klasifikimit. Ballshiotët nuk u ndalën edhe këtë mesjavë, kur në ndeshjen e radhës u ballafaquan me Vllazninë e Shkodrës. Një sfidë, që në një farë mënyrë në opinionin sportiv konsiderohej si një ballafaqim mes dy Vllaznive. Dhe, në mbyllje të 90-të minutave, ka qënë Bylisi i shkodranëve që kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0.

Një ndeshje kjo e dominuar tërësisht nga ana e vendasve, ku për fitoren e Bylisit, krahas Fall Babacar, dopietës së Xhoi Carkanjit, vendosi edhe goli i shkodranit Aleksander Trumçi, i cili shënoi golin e dytë për ekipin e tij Bylis.

Ndonëse, në këtë ndeshje nuk shënoi, shkodrani tjetër Joald Ivziku, ka meritën e dhënies së dy asistëve perfekt në shënimin e golave nga kolegët e tij.

Me këtë fitore të merituar, skuadra ballshiote marshon e sigurtë drejt titullit kampion, sukses ky që patjetër ka brenda edhe kontributin e talentëve të futbollit shkodranë që aktivizohen me Bylisin.

Dhe, përpos kontributit me 21 vjeçarët, shkodranët e Bylisit kanë dhënë kontributin e tyre të madh edhe në ekipin e parë ballshiot, kampion i kategorisë parë duke fituar të drejtën e rikthimit sezonin e ardhshëm në Superiore.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Vllaznia U-21, jo vetëm që nuk është për titull, por pozicioni i saj nuk është më lart se vendin e katërt i renditjes.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img