Bylisi kampion i Kategorisë së Parë. Ballshiotët së bashku me shijakasit e Erzenit që renditen të dytët, sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e Kategorisë Superiore.
Gjithçka ardhur pas ndeshjeve të javës së 29-të, ku Bylisi mundi Butrintin në stadiumin “Adush Muça” 4-3, ndërkohë që Erzeni fitoi në transfertë me Vorën 1-5.
Natyrisht që vemendja më e madhe ishte në Ballsh, aty ku edhe vendasit festuan gjatë, jo vetëm fitoren e javës, por sigurimin e rikthimit në Kategorinë Superiore. Katër golat e shënuar nga Bylisi në këtë ndeshje mbajnë autorësinë e shkodranit, Eridon Qardaku. Dhe, së bashku me Qardakun, në fitoren e fundit, por edhe në suksesin e ngjitjes në Superiore, kanë pjesë e tyre edhe katër shkodranë të tjerë, Marçelino Preka, Aleksandër Trumçi, Roland Shkreli dhe Jald Ivziku, që të gjithë së bashku e çojnë në pesë numrin e shkodranë që luajnë për Bylisin.
Ndër ta, katër të parët, Qardaku, Preka, Trumçi dhe Shkreli kanë qënë më herët pjesë e Bylisit, ndërkohë që Ivziku është më i ri ndër ta, jo vetëm në moshë, por edhe sepse, në janar të këtij viti kaloi nga Vllaznia tek Bylisi.
Në foton që shoqëron shkrimin, janë pikërisht të pesë futbollistët shkodranë që kanë të veshur uniformën e KF Bylisi: Eridon Qardaku, Marçelino Preka, Aleksandër Trumçi, Roland Shkreli dhe Jald Ivziku. Emra këto, që gjatë të gjithë sezonit kanë qënë ndër më të mirët, jo vetëm në radhët e Bylisit, por edhe në raport me skuadrat e tjera të futbollit shqiptar.
Në ndeshjet e tjera të javës së 29-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e parë, u arritën këto rezultate: Lushnja – Apolonia 1-0, Burreli – Shkumbini 2-0, Korabi – Maliqi 1-0, Pogradeci – Tërbuni 1-0, Turbina – Tomori 4-3, Besëlidhja – Besa 2-1.
Kategoria e Parë, ka për të luajtur edhe një javë, atë të 30-tën, ku pritet të përcaktohen skuadrat që do të luajnë në play-off me skemën 3-6 dhe 4-5 për të luftuar për një vend në Superiore, ndërsa më pas do të ndeshen me të 8-ën e Superiore. Për t’u përcaktuar dhe zona e Play-out. Ndërkohë që nga Lushnja tek Turbina janë të gjitha të rrezikuara për në fazën Play-Aut.