Fitorja e javës së kaluar ndaj Kukësit me atë gol të sekondave të fundit në kohën shtesë me autor Çobën, ka krijuar një klimë shumë pozitive në gjirin e skuadrës kuqeblu. Një gjë e tillë është parë edhe në proçesin stervitor, ku gjatë seancave përkatëse të ditëve të kësaj jave, futbollistët janë më të çliruar nga ana psikologjike.
Realisht, fitorja ndaj kuksianëve ishte një hap shumë pozitiv drejt përfshirjes në zonën Europiane, por për drejtuesit kuqeblu, akoma nuk është arritur asgjë. Dhe, për këtë, gjatë gjithë këtyre ditëve të pragndeshjes me Tiranën, kanë këmbëngulur vazhdimisht me futbollistët e tyre duke ia bërë të qartë gjatë analizave përkatëse, që për ta çuar deri në fund objektivin Europë nga kampionati, duhen kaluar edhe tre ndeshjet e mbetura, Tiranën, Egnatian dhe Kastriotin. \
Tre finale këto që nisin nga e shtuna e kësaj fundjave, kur Vllaznia është mysafire në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit për tu ndeshur me Tiranën vendase, e cila në këtë ndeshje vjen me qetësinë që ia ka krijuar fitimi i titullit kampion me fitoren që arriti javën e kaluar ndaj Partizanit.
Sa i përket, gjendjes së lojtarëve, tekniku i Vllaznisë, Elvis Plori, për sfidën me Tiranën, ka komoditetin, të ketë nga minuta e parë në fushën e lojës, sulmuesin kosovar, Liridon Latifi, i cili ka lënë pas dëmtimin e marrë që në përballjen me korçarët në “Loro Boriçi” dhe tashmë është programuar titullar ndaj bardhebluve.
Ndërkohë, sulmuesi tjetër Gjorgjeviç vazhdon të mos jetë i gatshëm, gjë që është parë edhe gjatë zhvillimti të stervitjes veçmas skuadrës me program individual. Krahas Gjorgjeviç, klasiken e futbollit shqiptar, e kanë humbur edhe dy kuqeblu të tjerë. Bëhet fjalë për trajnerin e portjerëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi si dhe portjeri i dytë, Kristi Qarri, të cilët si rezultat i reagimeve në minutat shtësë të ndaj vendimeve të arbitrit kryesor për ndeshjen, Vllaznia-Kukësi, u ndëshkuan me karton të kuq.