Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për televizionin “Top Channel”. Në një bisedë me gazetarin Endi Tufa, ai ka folur për zhvillimet më të rëndësishme të futbollit shqiptar, ecurinë e ekipeve Kombëtare dhe sfidat që ka përpara sporti në vendin tonë.
Një vëmendje të veçantë në intervistë zë projektligji për sponsorizimet dhe donacionet, të cilin Presidenti Duka e konsideron një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sportit shqiptar, por që, sipas tij, duhet të përmirësohet për të qenë realisht funksional.
Ai thekson nevojën për më pak burokraci, më shumë siguri për bizneset që investojnë në sport dhe një mekanizëm që garanton mbështetje të qëndrueshme për klubet, akademitë dhe infrastrukturën sportive.
Kreu i qeverisë së futbollit ndalet gjithashtu te rezultatet pozitive të ekipeve Kombëtare gjatë muajit nëntor, duke vlerësuar vendin e parë të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, paraqitjet e skuadrave të moshave dhe progresin e futbollit shqiptar në të gjitha nivelet. Ai flet për punën e trajnerit Maran, afrimin e talenteve të rinj, shortet e ardhshme europiane, si dhe ndryshimet në formatin e kampionatit shqiptar.
Në këtë intervistë, Presidenti i FSHF-së ndan edhe këndvështrimin e tij për të ardhmen e futbollit shqiptar dhe rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e brezave të rinj.
– President, vendi i parë në Ligën e Kombeve. A ishte një provim i kaluar me sukses? Duhet ta konsiderojmë një arritje të madhe apo thjesht përmbushje të objektivit që kishim?
– Unë do ta konsideroja një edicion të suksesshëm dhe realizim të objektivit. Në fund të fundit, ky ishte synimi ynë: të renditeshim në vendin e parë. A ishte një objektiv i vështirë apo shumë i vështirë? Mendoj se, siç rezultoi, ishte i realizueshëm. Megjithatë, për ta arritur nevojitet punë dhe përkushtim nga të gjithë.
Dua të falënderoj në radhë të parë futbollistët për përkushtimin gjatë këtij edicioni, stafin dhe të gjithë tifozët. Duhet t’i falënderojmë veçanërisht tifozët, të cilët e kanë mbështetur ekipin edhe në një kompeticion që më parë nuk ka qenë shumë i ndjekur dhe në ndeshje që në Shqipëri konsideroheshin jo shumë të rëndësishme.
Po rikujtoj ndeshjen me San Marinon. Mendonim se tifozët mund të zhgënjeheshin nga loja dhe rezultati, por ata e mbështetën ekipin deri në fund, derisa erdhi rezultati.
Pra, objektiv i realizuar. Nuk do ta konsideroja një sukses të jashtëzakonshëm, por një objektiv të përmbushur. Sigurisht, ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Mendoj se mund të kishte pasur më shumë aktivizim të futbollistëve të rinj, me më pak eksperiencë, në mënyrë që të kishim një numër më të madh alternativash për kualifikueset e Europianit.
– Emërimi i trajnerit aktual, Silvinjo më parë dhe tani Marani, ka qenë një proces me zgjedhje të ndryshme. Në fillim pati pikëpyetje dhe jo shumë entuziazëm për Maranin, por më pas ai tregoi se mund të bënte më shumë nga sa pritej. Jeni të kënaqur me zgjedhjen? Si e shihni edhe momentin e tranzicionit të Kombëtares, me lojtarët me eksperiencë dhe afrimin e të rinjve?
– Emërimi i trajnerit aktual të ekipit kombëtar, Maran, ndoshta nuk u prit fillimisht si zgjedhja më e mirë. Paraqitja e ekipit në dy ndeshjet e para miqësore ngriti pikëpyetje, si për mua, ashtu edhe për të gjithë ata që i ndoqën ato takime, madje ndoshta edhe për vetë trajnerin, nëse mund ta çonte përpara këtë projekt.
Por me fillimin e ndeshjeve zyrtare gjërat ndryshuan. Ekipi pati një paraqitje të mirë dhe tregoi një futboll më të mirë. Në fakt, këtë e kam thënë që ditën e parë: nuk e kemi zgjedhur rastësisht trajnerin. Pavarësisht se rezultati nuk vjen gjithmonë, jam i bindur se me këtë trajner do të shohim një futboll të bukur, një Shqipëri më agresive dhe më sulmuese.
Besoj se këtë e kemi parë gjatë këtij edicioni, edhe në ndeshjen me rezultatin më të keq, atë në Finlandë. Për minuta të tëra ekipi bëri një paraqitje të shkëlqyer. Edhe pas kartonit të kuq vazhdoi të luante mirë, por rezultati na ndëshkoi.
Jam i kënaqur me atë që ka sjellë trajneri në lojën e ekipit, në motivimin e futbollistëve, në përzgjedhjen sa më objektive të lojtarëve që grumbullohen dhe atyre që aktivizohen.
Megjithatë, ndoshta jemi edhe në një moment tranzicioni. Një pjesë e lojtarëve që deri dje ishin liderë, sot janë në një moshë më të avancuar dhe trajneri duhet të fusë lojtarë të rinj.
– Si e shihni këtë moment të tranzicionit dhe nevojën për afrimin e futbollistëve të rinj?
– E thashë edhe në fillim. Ndoshta mund të ishin aktivizuar më shumë lojtarë të rinj. Ne kemi futbollistë me shumë cilësi, si në ekipin kombëtar U21, ashtu edhe në U19. Këta të fundit bënë një paraqitje shumë të mirë në kualifikueset e Europianit në Qipro, me dy fitore 4-0.
Ndoshta mund të ishin afruar disa prej këtyre emrave, për të pasur më shumë alternativa për të ardhmen.
Nuk më shqetëson fakti që disa futbollistë janë në një moshë relativisht të avancuar për futbollin. Në ekipin kombëtar, për sa kohë ke mundësi dhe forcë për të kontribuar, duhet të vazhdosh. Ata, pavarësisht moshës, po kontribuojnë në mënyrë fantastike. Gjëja më e bukur është ndërthurja mes lojtarit më të madh në moshë dhe atij më të ri. Ata krijojnë një harmoni dhe një grup shumë të mirë.
– Ndoshta nëntori ka qenë një nga muajt më të suksesshëm që kemi pasur prej kohësh me Kombëtaren, duke parë paraqitjet e U17, U19, U21 dhe ekipit A?
– Kemi pasur rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare gjatë muajit nëntor. Pothuajse i kemi fituar të gjitha ndeshjet.
Duke filluar nga Festivali Botëror i U15 në Azerbajxhan, ku ekipi ynë fitoi tetë nga nëntë ndeshje dhe u rendit i 17-ti mes 181 skuadrave pjesëmarrëse.
Ekipi U19 fitoi dy ndeshjet kualifikuese kundër Qipros dhe Armenisë me rezultate bindëse 4-0. Edhe U17 u kualifikua në Elite Round.
Kështu që kanë qenë rezultate shumë të mira, të cilat na kanë kënaqur të gjithëve dhe na kanë bërë të përjetojmë një nëntor të bukur. Nëntori është muaji i festave dhe këto rezultate na e kanë bërë edhe më të bukur këtë periudhë.
– Së shpejti do të kemi shortin e U21 për Europianin 2027 dhe më pas shortin e madh për kualifikueset e Europianit 2028. Çfarë mund të na thoni për këto dy shorte?
– Më 26 nëntor do të hidhet shorti i Europianit U21, i cili do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, ndërsa ceremonia do të mbahet në Beograd.
Kam parë skuadrat dhe pozicionimin e Shqipërisë. Është shumë e vështirë të zgjedhësh një kundërshtar që mund të konsiderohet më i lehtë. Të gjitha skuadrat janë në një nivel shumë të lartë sportiv, me eksperiencë dhe histori rezultatesh të mira.
Prandaj, ajo që duhet të uroj është që ekipi ynë të përgatitet sa më mirë për çdo kundërshtar që do të sjellë shorti. Nuk mund të shpreh ndonjë dëshirë të veçantë për shortin e U21.
Sa i përket shortit në Belfast për ekipin e parë, tashmë dihet ndarja e vazove. Shqipëria është në vazon e tretë. Gjysma e grupeve do të kenë pesë skuadra dhe gjysma tjetër katër.
Katër skuadrat më të forta do të jenë në grupe me nga katër ekipe, të cilat do t’i nisin kualifikueset në shtator.
Për ne do të ishte më mirë të ishim në një grup me katër skuadra dhe t’i nisnim kualifikueset në shtator, sepse do të kishim më shumë kohë për t’u përgatitur. Duke qenë se nuk do të luajmë ndeshje play-off në mars për Ligën e Kombeve, si rezultat i vendit të parë, do të kishim mundësi të zhvillonim katër ndeshje miqësore deri në shtator.
Pra, i urojmë vetes një grup me katër skuadra. Por kjo ka edhe një të keqe, sepse njëra prej katër skuadrave do të jetë nga ekipet më të forta të Europës.
– Një tjetër emër që ka bërë bujë është Brajan Gruda, futbollisti me origjinë shqiptare që është aktivizuar me Gjermaninë. A ka pasur tentativa nga Shqipëria për ta afruar, ashtu siç kemi bërë edhe me lojtarë të tjerë?
– Kualiteti i Brajan Grudës nuk ka nevojë për koment nga ana ime. Është një futbollist me shumë cilësi, i cili ka spikatur prej kohësh në kombëtaret e moshave të Gjermanisë. Ka luajtur me U19, U21 dhe madje edhe kundër Shqipërisë në një ndeshje miqësore.
Padyshim që, duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se ka lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kishim në skuadrën tonë. Kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur.
Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive.
– Pra, Shqipëria e ka kontaktuar që më herët, jo vetëm tani pas paraqitjeve të fundit?
– Po, po. Në çdo kohë i kemi ofruar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë, por vendimi i tij ka qenë që të luajë për Gjermaninë.
– Një tjetër zhvillim i rëndësishëm i nëntorit ka qenë edhe ligji i sponsorizimit. Sa i rëndësishëm është ky ligj për futbollin dhe sportin shqiptar?
– Ne kemi të paktën 10 vjet që diskutojmë për ndryshime ligjore, të cilat do të ndihmonin zhvillimin e sportit në përgjithësi në Shqipëri dhe të futbollit në veçanti.
Përfundimisht duhet të jemi, në një farë mënyre, falënderues që këtë vit ligji ka ardhur në tavolinë. Së fundmi u diskutua edhe në komisionin parlamentar propozimi i qeverisë për ligjin e sponsorizimit dhe donacioneve.
Duhet të falënderojmë ata që e kanë iniciuar, si ministrinë, ashtu edhe deputetët e të gjitha krahëve politikë. Nëse keni ndjekur diskutimin në komisionin parlamentar, pavarësisht vërejtjeve dhe kritikave, ka pasur një qasje pozitive.
Por tani ky ligj duhet të bëhet funksional. Ne kemi vërejtje dhe mendojmë se ata që e mbështesin duhet të mendojnë se si ta bëjnë atë funksional dhe jo sipërfaqësor. Nuk duhet të pranojnë nëse ka hile nga dikasteret, ministritë apo burokracia e aparatit shtetëror.
– Konkretisht, cilat janë problemet që shihni te projektligji aktual?
– E para, objektivi është që biznesi dhe sporti, apo biznesi dhe arti, të krijojnë në mënyrë të pavarur një marrëdhënie për të ndihmuar zhvillimin e sportit. Sponsorizimi duhet të jetë një pagesë alternative e tatimit dhe jo një shpenzim shtesë për biznesin.
Ligji duhet ta përcaktojë në mënyrë të qartë dhe eksplicite se kjo është një mënyrë alternative e pagesës së tatimit, në mënyrë që biznesi të jetë i sigurt për financimin që jep.
E dyta, nuk ka arsye që Ministria e Sportit të ketë nevojë të komandojë apo të kontrollojë paraprakisht këto sponsorizime. Nuk them që duhet të ketë anarki. Sigurisht, ato duhet të kontrollohen sipas kritereve që do të vendosen, por kontrolli duhet të bëhet pasi sponsorizimi të jetë kryer, jo përpara tij.
Çfarë autorizimi duhet të kërkojë një klub futbolli për një aktivitet publik? Dihet që Partizani është klub futbolli dhe aktivitet publik. Pse duhet të shkojnë te ministria si sponsorizuesi, ashtu edhe i sponsorizuari?
Duhet t’i heqim këto burokraci dhe të kontrollojmë zbatimin e ligjit në momentin që ndodh. Edhe biznesi nuk kontrollohet përpara se të kryejë një transaksion financiar, por pasi ai kryhet, për të parë nëse është në përputhje me ligjin.
Nëse kjo do të jetë një gjë e komanduar dhe e kontrolluar nga aparati burokratik shtetëror, nuk kemi bërë asgjë. Do të jemi sërish në të njëjtën situatë, ku qeveria cakton një buxhet dhe e shpërndan sipas dëshirës. Grantet që i janë dhënë futbollit kanë rezultuar zero për 30-50 vjet.
E treta, dhe shumë e rëndësishme, ligji parashikon një limit jashtëzakonisht të vogël: 2 miliardë lekë. Çfarë do të bëjë i gjithë sporti dhe arti me 2 miliardë lekë?
Kur kjo shumë të fillojë të shpërndahet, kur të shkojë klubi i Ersekës për t’u sponsorizuar, mund ta gjejë fondin zero. Nuk janë të rëndësishëm vetëm klubet profesioniste si Tirana, Partizani, Dinamo apo Teuta. Është i rëndësishëm i gjithë futbolli shqiptar dhe të gjitha akademitë.
Ne kërkojmë që limiti të jetë pesë herë më i lartë. Gjithashtu, ligji duhet të parashikojë që një pjesë e mirë e këtyre sponsorizimeve të shkojë për infrastrukturën.
Çfarë infrastrukture sportive mund të ndërtojmë me 2 miliardë lekë gjithsej, kur një pjesë e kësaj shume do të shkojë për artin dhe sportet e tjera? Me atë që do të mbetet për futbollin nuk mund të ndërtojmë as një fushë futbolli, sepse një fushë kushton 400 mijë euro.
Futbolli duhet të ketë një pjesë të sigurt nga ky mekanizëm. Sa nga këto para do të shkojnë për futbollin? Nëse i lëmë gjërat kështu, mund të përfundojnë për koncerte, fushata elektorale e të tjera.
Ligji duhet të mendojë se si të funksionojë dhe jo se si të kontrollohet. E përsëris: jam falënderues që ligji ka ardhur në tavolinë, por u kërkoj me dashamirësi të gjithë aktorëve, deputetëve dhe qeverisë, të marrin parasysh vërejtjet tona. Ne kemi dërguar propozime dhe sugjerime për të bërë një ligj funksional, që ndihmon zhvillimin e sportit dhe jo kontrollin e tij.
– Pse është kaq i rëndësishëm për futbollin ky mekanizëm i sponsorizimit?
– Ministria e Financave e konsideron sikur sporti kërkon të fusë duart në buxhet, por kjo nuk është e vërtetë. Sporti i jep shumë buxhetit. Ndikimi i sportit në ekonominë e vendit gjatë një viti është afërsisht 70 milionë euro.
Nuk po kërkoj që futbolli t’i marrë nga buxheti këto 70 milionë euro, por që t’i kthehet një pjesë e tyre. Dhe jo për luks apo kënaqësitë e dikujt, por për të ardhmen, për futbollin e fëmijëve, për fushat, palestrat dhe gjithçka tjetër.
E ftoj Ministrinë e Financave që të mos e shohë këtë si një përpjekje për të marrë para nga arka e shtetit, por si kërkesën e një prej tatimpaguesve të mëdhenj dhe të një aktiviteti me ndikim të konsiderueshëm në ekonominë e vendit.
– A keni bërë propozime konkrete për ndryshimin e projektligjit?
– Padyshim që kemi kërkuar. Kemi angazhuar ekspertët më të mirë të vendit dhe të huaj për ta përshtatur ligjin. Draftet aktuale janë ndryshe nga propozimet për të cilat kemi rënë dakord në tavolinë. Uroj që të mos shkojë kështu deri në fund dhe të bëhet ajo që është më e mira për sportin.
– Duke u kthyer te kampionati shqiptar, ndryshimi i skemës dhe eksperimenti me Final Four tashmë kanë përfunduar. A mendoni se ishte momenti i duhur për të provuar diçka ndryshe? Si e shihni të ardhmen e kampionatit?
– Gjërat kanë evoluar dhe gjithmonë duhet t’i përshtatesh zhvillimit. Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë mundësi të organizojë më shumë se 10 ekipe në Kategorinë Superiore, për shkak të përmirësimit të infrastrukturës në klube dhe pritshmërisë që mund të sjellë ligji i sponsorizimit.
Pse i qëndruam deri tani skemës me 10 skuadra dhe katër faza vajtje-ardhje? Problemi kryesor ishte infrastruktura, por edhe ndeshjet e vdekura që krijohen kur ka më shumë se 10 skuadra.
Për këtë arsye kontaktuam një nga kompanitë më të mira në botë që merret me skemat sportive. I shpjeguam se dëshironim të kishim 12 skuadra, por njëkohësisht të eliminonim ndeshjet pa interes të madh sportiv.
U propozuan disa skema dhe, së bashku me klubet, zgjodhëm njërën prej tyre, e cila në fund i ndan skuadrat në play-off dhe play-out.
Sezoni aktual 2026-2027 është një sezon tranzicioni, sepse kemi 10 skuadra dhe do të ndahen në gjashtë të parat dhe katër të fundit. Në sezonin pasardhës do të kemi 12 skuadra, të ndara në gjashtë të parat dhe gjashtë të fundit.
Qëllimi është eliminimi i ndeshjeve të vdekura. Edhe skuadra e parë që luan në play-out, në grupin e dytë, do të ketë të drejtën të luajë në play-off për të siguruar pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Në këtë mënyrë, të gjitha ekipet mbeten në garë dhe emocioni mbahet i ndezur deri në minutat e fundit të kampionatit.


