Kristian Vulaj, që prej ditës së sotme është pjesë e Vllaznisë. Shqiptari-malazezi, që jeton në qytetin e Tuzit, vetëm pak kilometra larg Shkodrës, ka firmosur sot kontratën me afat 3 vjeçar për klubin kuqeblu.
Nga sa bëhet e ditur, akordi me këtë futbollist, kishte disa ditë që ishte arritur, por zyrtarisht firma në kontratë është hedhur pasditën e sotme. Bëhet fjalë për një futbollist me parametra optimal, ku përpos ekipeve të Superligës malazeze, është edhe pjesë e kombëtares së këtij vendi. Nisur, edhe nga mosha e tij e re, pritshmëria për një perspektivë në ecurinë e karrieres së tij sportive duket e madhe.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojnë akordin me futbollisin Kristijan Vulaj. Mesfushori me tipare sulmuese ka firmosur për tre vitet e ardhshme me klubin tonë. Vulaj ka lindur në Tuz të Malit të Zi dhe përveçse me Deçiq, ka luajtur edhe me ekipin e Petrovac në superligën malazeze. Megjithatë kulmin e karrierës e ka me Deçiq, me të cilin arriti të kapë edhe kombëtarën e vendit fqinj. KF Vllaznia i uron 24 vjeçarit një paraqitje sa më të mirë me fanellën kuq e blu! Mirë se erdhe Kristijan Vulaj!”, shkruan KF Vllaznia në njoftimin zyrtar.