SV Lafnitz- KF Vllaznia 0-2(Shënues: Çoba 61’, Gurishta 68’)
Formacioni i Vllaznisë: Zogoviç, Gurishta, Bulatoviç, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku, Çoba, Ardit Hoxhaj, Aralica.(U aktivizuan në pjesën e dytë: Kruja, Vukaj, Kaina, Heriç, Paolo Pjeshka, Smajli, Shehi, Alivoda, Shimaj) Trajner: Mirel Josa
Dy miqësore, dy fitore, një bilanc pozitiv ky për kuqeblutë e Vllaznisë, të cilët në harkun kohor të katër ditëve likuidojnë dy skuadra të futbollit austriak.
Nëse në ballafaqimin e parë përballë kishin një skuadër të kategorisë së tretë si Traiskirchen, të cilën e munden me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga shqiptari i Tuzit, Kristian Vulaj, ky i sotmi, SV Lafnitz, vinte nga kategoria e dytë dhe me një emër vlerësues në futbollin austriak.
Sfida e luajtur pasditen e sotme në “ANKER ARENA” KSV Ankerbrot Montelaa Stadium ka dhuruar një pjesë të parë deeri diku të barabartë, por që në planin e përgjithshëm kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Mirel Josa kanë qënë më dominues në fushën e lojës.
Gjithësesi, gola nuk ka pasur në 45 minutat e parë duke e mbyllur në barazim 0-0 këtë pjesë. Ndërkohë që golat janë ruajtur për pjesën e dytë, ku kanë qënë dy të ditë, dhe që të dy në portën austriake. I pari ka për autor Mehdi Çobën në minutën e 61-të pas një pasi të marrë nga e djathta, ndërkohë që për të dytin ka menduar kapiteni Erdenis Gurishta, gol i realizuar ky në minutën e 68-të përmes një gjuajtje potente nga jashtë zone.
Për t’u theksuar është se në këtë pjesë loje skuadra kundërshtare e Ligës së Dytë të futbollit austriak ka zhvilluar një lojë të pëlqyeshme, madje duke ngulmuar në zonën kuqeblu për minuta të tëra në kërkim të shënimit të golit të avantazhit.
Dhe, pikërisht në momentin më të mirë të vendasve, është Vllaznia që godet me kundrasulmin e shpejtë të finalizuar nga Çoba. Kaq është dashur, dhe minutta në vazhdim janë të gjithë nën administrimin e kuqebluve, të cilët jo vetëm nuk lejojnë të preket rrjeta e tyre, por ndërkohë goli i kapitenit Gurishta mbyll ndeshjen duke fiksuar fitoren e merituar të Vllaznisë me rezultatin 2-0.
Dy fitore radhazi në miqësore, ku sidomos kjo e dyta e realizuar përballë një kundërshtari të njohur në futbollin austriak të Ligës së Dytë, evidenton sinjale pozitive nga kampi kuqeblu. Jo vetem fitorja, por edhe mënyra e lojës dhe ritmi që paraqitën kuqeblutë në fushën e lojës, duhet thënë se skuadra e Josës po bind në fushën e lojës.
Megjithatë, ajo që do t’i japë një pamje më të plotë formës sportive të Vllaznisë do të jetë ndeshja e tretë, e cila do të luhet përpara se skuadra do të kthehet në Shkodër. Miqësore kjo, që sipas planifikimit të drejtuesve do të ketë përballë një skuadër të Superligës austriake.