Që prej pasdites së datës 30 qershor, kuqeblutë e Vllaznisë janë instaluar në Austri, dhe konkretisht në kampingun e Pressbaum, 30 km larg Vjenës. Të akomoduar në ambjentet e hotel “Wiental”, pjesë e këtij kompleksi, ato vijojnë me plot intensitet përgatitjet në pritje të ndeshjeve europiane.
Paraditen e sotme, skuadra kuqeblu konsumoi ditën e dhjetë të fazës përgatitore në tokën austriake, ndërkohë që janë lënë pas edhe dy miqësore të fituara që të dyja, respektivisht 1-0 dhe 2-0.
Por, në programin e hartuar për ditët e qëndrimit në Austri nuk ka vetëm stërvitje dhe ndeshje, por edhe relaks, siç ishte pasditja e sotme e cila ishte lënë e tëra në dispozicion për të shijuar bukuritë e Vienes.
Fillimisht një shëtitje e lirë në rrugët e qytetit historik dhe plot kulturë perëndimore, më pas destinacioni ka qënë stadiumi “Allianz Arena” në Vjenë. Me ftesë të drejtuesve të klubit të Rapidit, drejtuesit kryesore të KF Vllaznia, Alban Xhaferi dhe Blendi Dibra, së bashku me skuadrën kuqblu kanë qënë të pranishëm në stadium duke ndjekur prej së afërmi ndeshjen, Rapid-Celltik.
Nga sa bëhet e ditur, krahas relaksit në shijimin e kësaj ndeshje, Xhaferi dhe Dibra e kanë shfrytëzuar këtë moment për bisedime në lidhje me bashkëpunimet mes dy klubeve të futbollit, gjë e cila pritet të konkretizohet në ditët në vazhdim.
Krahas të tjera, duke qënë në një ditë festive siç kjo e sotmja e Kurban Bajramit, një pjesë e mirë e grupit kuqeblu, me në krye presidentin Alban Xhaferi që njihet edhe si një besimtar i denjë i besimit mysliman, kanë frekuentuar një nga xhamitë e Austrisë duke marrë pjesë në ritet përkatëse.