Ashtu si edhe në ndeshjet e tjera të luajtura në stadiumin “Loro Boriçi”, gazetari sportiv i Panorama Sport për Shkodrën, Admir Uruçi sjell pikantet për ndeshjen e luajtur dje në Shkodër, mes Vllaznisë vendase dhe Universitatea Craiova, e cila përfundoi në barazim, 1-1.
Rregulla të forta sigurie në një perimetër të gjerë rreth stadiumit “Loro Boriçi”. Madje,kontrollet kanë qenë më terrepta edhe kur në këtë stadium Kombëtarja jonë luante përballë Italisë apo Spanjës.Kjo vjen edhe për shkak të gjobave që ka marrë në edicionin e kaluar klubi shkodran për incidentet në ndeshjen me Shiroki Brijeg, ndërsa UEFA e kishte klasifikuar takimin me rumunët të një risku të madh.
Stadiumi u mbush thuajse 45 minuta para nisjes së sfidës. Një pamje e bukur ka ardhur nga grupimi “Vllaznit Ultras”, të cilët në startin e takimit kanë shpalosur një flamur të kuq me inicialet “VU”.
Dje ka pasur një mbipopullim edhe në tribunën VIP të stadiumit. I pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gjithashtu nuk mund të mungonte ish-kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka qenë e pranishme në krah të kryebashkiakut aktual, Bardh Spahia.
Nuk mungojnë në tribunë as lojtarë të ekipeve të tjera, ku dalloheshin mes tyre ata të Partizanit, Eneo Bitri dhe Valentino Murataj, por edhe drejtori sportive i KF Partizani, Elton Marini.
Në tribunën e medias kishte një prani të madhe të gazetarëve nga Rumania.
Trajnerët Mirel Josa dhe Laszlo Balitn e kanë ndjekur gjithë ndeshjen në këmbë duke udhëzuar ekipet e tyre.
Në minutën e 24-t u ndërpre për pak sekonda loja, në mënyrë që lojtarët e të dyja skuadrave të freskoheshin. E njëjta gjë ndodhi edhe në të 69-ën minute të pjesës së dytë.
Në minutën e 52-të, portieri Zogoviç debaton ashpër me një prej sulmuesve miq. Kjo irriton edhe trajnerin e portierëve, Ideal Lekiqi, që kërkon nga ana e Zogoviçit që të mos bjerë pre e provokimit të rumunëve. Në këtë moment Josa i kërkon edhe Lekiqit të ruajë qetësinë.
Mesfushori kosovar i Vllaznisë, Lorik Boshnjaku, rrëmben duartrokitjet e publikut shkodran për performancën e tij në pjesën e parë. Ai ishte deciziv disa herë në thyerjet e aksioneve të rumunëve.