Emocionet e super sfidës, Universitatea Craiova-Vllaznia, sa vijnë dhe shtohen. Kur kanë mbetur edhe rreth tre orë nga starti i kësaj ndeshje, në kampin kuqeblu duket se janë krejt gati për të zbritur në fushën e lojës. Pasi ka konsumuar edhe një seance të shkurtër stërvitore në orët e paraditës së sotme, e cila ishte kryesisht e karakterit shkrythës, tekniku Josa së bashku me kolegët e tij është ndalur disi më gjatë me skuadrën duke folur në aspektin teknik dhe atë takik.
Ajo që pritet me shumë interes nga të gjithë ka të bëjë me emrat që do të zbresin nga minuta e parë në fushën e lojës. Realisht, një gjë e tillë do të mësohet kur skuadra do të mbërrijë në stadium dhe Josa do të dorëzojë zyrtarisht protokollin e skuadrës kuqeblu.
Megjithatë, nga burime pranë stafit drejtues mësohet se tekniku kuqeblu ka projektuar njëmbëdhjetëshen anti-Universitatea. Tre do të jenë lëvizjet që Josa pritet të bëjë në këta ndeshje. Janë që të tre ato futbollistë që u aktivizuan në pjesën e dytë të ndeshjes së kaluar të luajtur në “Loro Boriçi”, të cilët morën nota vlerësuese nga specialistët e futbollit.
Bëhet fjalë për dyshen kombinatove, Herald Marku-Ardit Hoxhaj që dhuroi golin e barazimit dhe brazialianin Kaina, i cili pritet të ndërrohet kokë më kokë me kroatin Aralica në majë të sulmit. Që do të thotë se me këto ndryshime, formacioni i Vllaznisë në ndeshjen e sotme pritet të jetë ky:
Zogovic, Gurishta- Juriç- Bulatoviç- Hakaj, Jonuzi- Boshnjaku- Marku, Hoxhaj- Çoba- Kaina