Historike, Luiza Gega, shpallet Kampione Europe në 3 000 metra me pengesa

Historike! Mrekulli në Mynih! Luiza Gega është kampione e Europës në 3000 metra me pengesa. Atletja shqiptare shkëlqeu në natën që duhet të tregonte veten. Nga metri i parë deri te i fundit, Gega dominoi garën dhe arriti të fitonte me kohën 9:11.31, duke marrë medaljen e artë dhe ngjitur Shqipërinë në majën e Europës. Një garë e jashtëzakonshme e Gegës, që tregon se është ylli i sportit shqiptar.

Luiza Gega bëhet kështu  atletia e parë shqiptare që arrin në majën e kontinentit. Gjithçka ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës në Mynih, ndërsa me kohën 9’11”31 ajo zë vendin e parë. Një garë e dominuar nga fillimi deri në fund prej Gegës, që lë shumë metra nga pas gjermanen Mejer, 9’15”35, dhe britaniken Birdile 9’23”18. Një arritje shumë e madhe për Luiza Gegën, e cila gjashtë vjet më parë, në Amsterdam, ishte nënkampione Europe

Një sezon i shkëlqyer që finalizohet me këtë titull Kampion Europe. Në qershor në Mançester jep kohën 9’20”79. Pas tre ditësh në Hengelo të Holandës fikson rekordin e parë kombëtar 9’15”48. Në Krajovë është Kampione e Ballkanit me 9’17”89. Për të kaluar në fillimin e korrikut Kampione dhe rekordmene e Mesdheut me 9’14”29. Në Kampionatin Botëror të Oregonit në kualifikuese jep kohën 9’14”91 dhe në finale, duke zënë vendin e pestë, rekordmene me 9’10”04. Dhe kulmi është në Europian me këtë trofe me kohën 9’11”31. Pra një fenomen që i bën nder atletikës shqiptare, ndërsa “Paris 2024” do ta ketë një siguri më shumë për një medalje olimpike në 3000 metra me pengesa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu