“KF Vllaznia, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mos respektuar Protokollin Sanitar të FSHF-së dhe Urdhrin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, në bazë të neneve 63/1/b, 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.” Ky ishte vendimi që Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit mori në mbledhjen e ditës së djeshme. Një vendim ky që nuk është pritur aspak mirë në kampin kuqeblu, pasi sipas tyre, një gjë e tillë erdhi si pasojë e deklaratave të pasndeshjes Vllaznia-Partizani nga ana e drejtorit të përgjithshëm të FK Partizani, Olsi Rama.
Alban Xhaferi
Reagimi ka ardhur i menjëhershëm nga sponsori i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili ndër të tjera, shprehet:
“Normalisht, nëse flasim realitetin, ky vendim erdhi pasi sebepi i kësaj pune u bë Olsi Rama. Drejtori i Partizanit bëri atë deklaratë pas ndeshjes dhe u bë bujë, a thua kishte ndodhur diçka e madhe. Më pas erdhi edhe gjoba, pasi vetë çështja u bë mediatike.
Ne nuk jemi as të parët dhe as të fundit, pasi kjo puna e tifozëve është lehtësisht e verifikueshme nëse shikon çdo ndeshje të Superiores. Jemi vetë dëshmitarë që sa herë kemi shkuar në rrethe, prania e të paktën 200-300 tifozëve ka qenë krejt normale. Pastaj, shikoni edhe derbin Tirana-Partizani. Kjo është diçka që shikohet, s’ka nevojë për argumente të tjera. Keqardhja e vetme është që pse duhet të ishim bërë ne shembull për këtë, por me sa duket, deklarata e drejtorit të Partizanit ishte në atë nivel që të kërciste gjoba. Kjo është e gjitha. E sigurt është që Vllaznia nuk do të ankohet asnjëherë kur të luajë në çdo vend se sa tifozë ka në stadium. Për asnjë klub nuk kemi për t’u ankuar. Le të jenë plot stadiumet dhe ne do të kënaqemi më shumë. Madje, do të lobojmë që të rikthehen tifozët në mënyrë të kufizuar, duke zbatuar natyrisht protokollin. E theksoj edhe një herë, gjoba është një veprim i Disiplinës nën presionin e drejtorit të Partizanit. Ky është mendimi im. Ai e bëri publike si kauzë dhe normalisht komisioni veproi. Nuk po them është diçka e gabuar, sepse Disiplina do t’u referohet rregullave. Natyrisht, kjo është logjike”.
Olsi Rama
Diskutimet dhe interpretimet rreth kësaj çështje nuk mbarojnë këtu, sepse pas deklaratës akuzuese të sponsorit Alban Xhaferi, ka ardhur një tjetër kundrapërgjigje nga ana e zyrtarit të klubit të kuq, Olsi Rama, i cili duke u njohur me atë çfar ka thënë Xhaferi, do të shprehej:” Vendimi i Federatës nuk ka lidhje me deklaratën time. Unë e kam sqaruar, që e vetmja arsye që e thashë atë nuk kishte të bënte me ndeshjen, por me ndershmërinë, pasi siç i respekton Partizani, t’i respektojnë edhe të tjerët. Skuadrat duhet të jenë të gjitha njësoj. Do doja tifozë, por është e pamundur diçka e tillë dhe duhet të respektojmë rregullat. Nuk ishte qëllimi ime të dënohej Vllaznia, pasi ato 200 mijë lekë mund t’i merrte ndonjë futbollist që ka nevojë. Mendoj që është shumë e rëndësishme shëndeti në këtë situatë. Është shumë i rëndësishëm respektimi i rregullave që janë vendosur. Jemi në pikun e infektimeve dhe nuk mendoj se duhet të kthehen tifozët. Situata është e tillë, pasi kemi një kulturë për mosrespektimin e rregullave. Shumë njerëz flasin se çfarë ndodh në lokale dhe kjo është përgjegjësia e vetë njerëzve. Shpreh keqardhje që Vllaznia është gjobitur, por është një shenjë, që të vihen të gjitha ekipet në barazi. Marrëdhënia me tifozët është shumë e mirë. I kthej mbrapsht kur duan të kthehen në stadium. I falënderoj që na ndjekin në transferta.”, shprehet drejtori i përgjithshëm i FK Partizani, Olsi Rama.